1 në 3 gra të moshës 20-24 vjeçare nga komunitetet RAE u martuan pa i bërë 18 vjet

1 në 3 gra të moshës 20-24 vjeçare nga komunitetet RAE u martuan pa i bërë 18 vjet

Aktuale March 09, 2021 - 09:36

Një në 25 gra dhe një në 50 burra të moshës 20-24 vjeçe janë martuar para moshës 18-vjeçare në Kosovë.

Kjo përqindje është shumë më e lartë te gratë dhe te burrat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, ku një në tri gra dhe një në 10 burra të moshës 20-24 vjeçe janë martuar para moshës 18-vjeçare.

Sipas anketës së treguesve të shumëfishtë 2019-2020 për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, e realizuar nga UNICEF-i, martesa para moshës madhore është më e zakonshme te gratë e moshës 20-49 vjeçe, të cilat nuk janë të arsimuara (41 për qind e grave në popullsinë e përgjithshme dhe 47 për qind e grave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian janë martuar para moshës 18-vjeçare), e krahasuar me ato që kanë një nivel më të lartë të arsimimit (një për qind dhe dhjetë për qind respektivisht).

Image

Një trend i ngjashëm vërehet edhe te pasuria familjare, ku gratë që jetojnë në familje më të varfra ka më shumë të ngjarë që të martohen para moshës 18-vjeçare sesa ato që jetojnë në familje me kushte më të mira ekonomike, njofton Klan Kosova.

Në popullsinë e përgjithshme, martesa para moshës 18-vjeçare ka pësuar rënie me kalimin e kohës, prej 13 për qind te gratë e moshës 45-49 vjeçare deri te 4 për qind tek ato të moshës 20-24 vjeçare.

Një trend në rënie me kalimin e kohës në martesat para moshës 18-vjeçare është gjithashtu i dukshëm te burrat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ku 20 përqind e burrave në grup-moshën 45-49 vjeçare ishin martuar para moshës 18-vjeçare, duke i krahasuar me 10 për qind të burrave në grup-moshën 20-24 vjeçare.

Image

Image