PZAP-i anulon disa fletëvotime të partisë Romani Iniciativa

PZAP-i anulon disa fletëvotime të partisë Romani Iniciativa

Aktuale March 08, 2021 - 13:17

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), në seancat e mbajtura më datat 5, 6, 7 dhe 8 mars 2021, brenda afatit ligjor prej 72 orëve ka vendosur lidhur me 210 apelet e paraqitura nga kandidatet për deputetë të subjekteve politike, kundër vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Paneli lidhur me apelet e paraqitura ka vendosur si në vijim:

Pranohen pjesërisht të bazuara pesë apele:

Pranohen pjesërisht të bazuara apelet A. nr. 656/2021. A. nr. 733/2021 dhe A. Nr. 735/2021, të paraqitura nga subjektet politike Nasha Iniciativa, Unioni Social Demokrat dhe Nova Demokratska Stranka, të datës 05.03.2021, kundër vendimit të KQZ-së nr. 860-2021 të datës 04.03.2021, për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 14 Shkurt 2021.

Pranohen pjesërisht të bazuara apelet: A. nr. 736/2021, i datës 05.03.2021, i paraqitur nga subjektet politike Partia Liberale Egjiptiane (PLE), me seli në Pejë, Partia e Ashkalinjve për Integrim (PAI) me seli në Lipjan, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK) me seli në Prizren, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës (PDAK) me seli në Ferizaj dhe apeli A. nr. 769/2021, i datës 05.03.2021, i paraqitur nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës (LPRK), anulohen fletëvotimet që i përkasin subjektit politik Romani Iniciativa.

“Kandidatët të cilët kanë apeluar vendimin e KQZ-së për shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve në PZAP do të njoftohen me kohë me vendimet lidhur me apelet e parashtruara dhe kundër këtyre vendimeve palët e pakënaqura mund të paraqesin ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës brenda afatit ligjor prej 24 orëve nga momenti i pranimit të vendimit, ndërsa Gjykata Supreme e Kosovës ka për obligim që të marrë vendime lidhur më ankesat brenda afatit ligjor prej 72 orëve nga momenti i paraqitjes së tyre”, thuhet në njoftimin e PZAP-it.