Rashkoviq Iviq ngre dyshime se Vuçiqi po i vjedh paratë e destinuara për serbët e Kosovës

Rashkoviq Iviq ngre dyshime se Vuçiqi po i vjedh paratë e destinuara për serbët e Kosovës

Aktuale March 08, 2021 - 12:22

Nënkryetarja e Partisë Popullore serbe dhe ish-kryetarja e Qendrës Koordinuese për Kosovën në Qeverinë serbe, Sanda Rashkoviq Iviq, ka deklaruar sot se nuk është i vërtetë deklarimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq se Serbia çdo vit për serbët në Kosovë ndan nga 600 milionë euro.

Për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, Rashkoviq Iviq tha se Vuçiqi shpesh “shpërndan” shifra kur bëhet fjalë për paranë e shtetit, ndërsa tani dëshiron që qytetarët e Serbisë t’i “neverisë” me luftën për ruajtjen e Kosovës.

“Vuçiqi e tha këtë shifër të frikshme prej 600 milionë eurosh në një konferencë për shtyp të shtunën në mbrëmje, në mënyrë që t’u tregonte qytetarëve të Serbisë se Kosova është një barrë e madhe, në të cilën paratë shpenzohen dhe hidhen si në një gropë pa fund. Nëse Serbia do të ndante kaq shumë para për serbët në Kosovë, ata njerëz do të jetonin në mënyrë të pakrahasueshme më mirë sesa është rasti tani”, tha Rashkoviq Iviq, transmeton “Zeri.info”.

Sipas saj, nëse serbët në Kosovë në vetëm pesë vjetët e fundit do të merrnin tre miliardë euro, siç thotë Vuçiqi, “ata do të jetonin me standardin më të lartë në Evropë dhe nuk do të zhvendoseshin nga Kosova”.

“Prandaj, ose presidenti nuk po e thotë të vërtetën, ose po vjedh pa ndërprerë pa asnjë ndëshkim. Ato para sigurt nuk shkojnë te qytetarët e thjeshtë. Nuk përjashtohet mundësia që shumica e parave të destinuara për serbët në Kosovë të përfundojnë te hallat e ndryshme në Kanada dhe pastaj të kthehen në Beograd”, tha ajo.

Rashkoviq Iviq theksoi se ndërsa për shumë njerëz të pushtetit në Serbi Kosova përdoret për “pastrim parash”, “emigrimi i serbëve ndodh çdo ditë si gjakderdhje kapilare”.

“Serbia tani shpenzon shumë më pak para për Kosovën sepse gjyqësori, policia dhe vetëqeverisja lokale u janë dorëzuar autoriteteve në Prishtinë. Shifra prej 600 milionë eurosh mund të justifikohet nëse do të kishte dy herë më shumë serbë në Kosovë se sot dhe nëse të gjithë do të merrnin rroga nga Beogradi”, përfundoi nënkryetarja e Partisë Popullore serbe dhe ish-kryetarja e Qendrës Koordinuese për Kosovën në qeverinë serbe, Sanda Rashkoviq Iviq.