KMDLNJ-ja shpreh ngushëllime për vdekjen e ish-nënkryetarit të saj, Zejnulah Gruda

KMDLNJ-ja shpreh ngushëllime për vdekjen e ish-nënkryetarit të saj, Zejnulah Gruda

Aktuale March 08, 2021 - 12:13

Më datën 7 mars 2021, në Prishtinë, vdiq ish-nënkryetari i KMDLNJ-së, prof, dr. Zejnullah Gruda, i cili ishte aktiv në Këshill që nga data e themelimit, përkatësisht nga 14 dhjetori 1989, kur edhe u themelua KMDLNJ-ja.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut thotë se Gruda, si njohës i shkëlqyer i të drejtës ndërkombëtare, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe të cilat shkeleshin në mënyrë flagrante nga Serbia.

“Njohuritë që i kishte në fushën e të drejtave të njeriut e ndihmuan KMDLNJ-në gjatë prezantimeve në rrafshin ndërkombëtar për sensibilizim të opinionit, vendor dhe sidomos atij ndërkombëtar. Ishte aktiv dhe mori pjesë në punën e Komisionit dhe Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, ku paraqiti gjendjen e të drejtave të njeriut sikur që mori pjesë në shumë konferenca ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ishte i angazhuar dhe kishte përgjegjësi në përgatitjen e botimit të Buletinit në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe sikur që ishte përgjegjës për përgatitjen e Monografisë për Krime Lufte në Kosovë, vëllimi I. Me ekipin e avokatëve ishte pjesë e ekipit që paraqiten kallëzime penale për udhëheqësit më të lartë ndaj udhëheqësve politikë, ushtarakë dhe policorë të ish –-Jugosllavisë dhe Serbisë, sikur që përgatitën edhe kallëzimin penal ndaj tyre para Tribunalit për Krime lufte për ish–Jugosllavi në Hagë”, thotë KMDLNJ-ja në telegramin e ngushëllimit.

Më tej, thuhet se pas përfundimit të luftës profesori Gruda ishte pjesë e ekipit që përgatiti kallëzime penale për krimet e kryera në Kosovë, të cilat iu dorëzuan prokurorive të Kosovës dhe të cilat “autoritetet e UNMIK-ut dhe të EULEX-it i futën nën tepih”.

“Gjithashtu, ishte pjesë e ekipit të KMDLNJ-së që publikuan librat për të drejtat e njeriut për nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme, ‘Të drejtat e mia’. Pas një hulumtimi të gjatë për të drejtat e pakicave në Kosovë, ku edhe u botua libri ‘Të drejtat e pakicave’, prof. dr. Zejnullah Gruda ishte redaktor i këtij publikimi. Me një sens të theksuar për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe që shkelësit të denoncohen publikisht, prof. dr. Zejnullah Gruda i mori rastet më flagrante që kishin ndodhur në botë, duke i ndërlidhur, gjithnjë nga aspekti i të drejtave të njeriut, me gjendjen në Kosovë, sidomos në përzgjedhjen e filmave ndërkombëtarë për të drejtat e njeriut e që shfaqeshin në Festivalin e Filmit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, ‘Një Botë’, në Prishtinë”, thekson më tej KMDLNJ-ja.

Prof. dr. Zejnullah Gruda ishte aktiv në KMDLNJ deri në momentin, kur u vendos në krye të Institutit për Hulumtim të krimeve të Luftës në Kosovë.

“Kontributi i prof. dr. Zejnullah Grudës në fushën e identifikimit, sensibilizimit, mbrojtjes, përparimit dhe promovimit të drejtave të njeriut mbetet i pazëvendësueshëm, duke lënë pas vetes një kontribut të çmuar, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet e rajonit. Ishte një erudit dhe humanist që i tejkalonte përmasat lokale dhe rajonale e që aspektin e të drejtave të njeriut e trajtonte nga këndvështrimi global. Ishte një përkrahës pasionant i Lorkës, Nerudës, Majakovskit, Migjenit dhe ishte në gjendje ta zbërthejë, deri në imtësinë më të vogël, Guernikën e Pablo Pikasos”, përfundon KMDLNJ-ja. /Zëri