Fisnik Ismaili thotë se videoja e blerjes së votave është e para dy viteve

Fisnik Ismaili thotë se videoja e blerjes së votave është e para dy viteve

Aktuale March 07, 2021 - 13:59

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismaili, ka dalë me një status në lidhje me pretendimet për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Lexo edhe: U akuzua se bleu vota për bashkëshorten, reagon Dardan Stublla

Një video e publikuar nga “Insajderi”, pretendonte se bashkëshorti i ministres në largim të Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka blerë disa komisionerë të numërimit të votave në QNR me qëllim që t’i rrisë votat për bashkëshorten e saj në këto zgjedhje.

Mirëpo, ish-deputeti Ismaili po thotë se videoja është e vjetër dhe se nuk përkon me zgjedhjet e fundit parlamentare. Kjo për faktin se në përgjimin e publikuar dje flitet për numrin 57 në listën zgjedhore të AAK-së, e ku pretendohet se është një grua, por që në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e 14 shkurtit, me këtë numër ka qenë një burrë.

Por sipas tij, me numër 57, një grua ka qenë në zgjedhjet e vitit 2019 në listën zgjedhore të AAK-së, e cila garoi bashkë me PSD-në në koalicionin “100% Kosovë”.

“Nji sen s'ma rroki në atë përgjimin e djeshëm: për numrin 57 të listës u folke për një grue, e në listë të zgjedhjeve të 2021 me numër 57 ishte një burrë. Mandej e këqyra listën e zgjedhjeve të 2019, ku isha edhe vetë, e aty 57-shi ishte një grue. Për qeta gazetarët e cenzurojshin edhe emnin e kandidates, mos me u vërejtë që ky incizim ishte i para 2 vjetësh”, tha Ismaili përmes një postimi në Facebook.

Më tej, ai ka hedhur dyshime se edhe PSD-së, parti me të cilën Ismaili garoi në listë të përbashkët me AAK-së më 2019, i janë vjedhur votat nga brenda.

“Palidhje me thanë qetash se koalicioni 100% që ka qenë gabim, por po del që PSD-së iu ka ba i njajti dallaver brenda. Kjo është dijtë, por s'o folë, se s'kish dëshmi. Dallavere gjithë ka pasë, prej krejt komisionerëve e vëzhguesve të të gjitha partive. Prej atyne që i numërojnë nëpër klasa, e mirren vesh dikujt të vogël me ia hangër votat, e me ia shpërnda barabartë partive të veta, e deri në QNR. Këtë llaf e kam dëgjue qysh në 2019, kur krejt u banë bashkë me e lanë PSD-në pa asnjë deputet mrena. Mendoje pak vetë: Visar Ymeri, numër 2 në listë, mos me mujtë as deputet me u ba? Shansë nuk ka! Hiç bre. Posaçërisht kur i sheh do ftyra tjera llom që u futën brenda”, deklaroi më tej Ismaili.

Sipas Ismailit, njëjtë ka ndodhur me partitë e vogla, si ORA, FER-i, e edhe me PSD-në, mirëpo ai thotë se edhe Lirak Çelajt të PDK-së i ka ndodhur e njëjta, sikurse edhe Haki Abazit të LVV-së, i cili në këto zgjedhje doli i fundit për nga deputetët e zgjedhur, me vetëm 7 627 vota të mbledhura, për dallim nga zgjedhjet paraprake të vitit 2019, kur Abazi kishte siguruar 15 896 vota.

“Por, sidoqoftë, e po e them me plot bindje që krejt e bajnë, pa dallime, që kur dojnë me i hjekë të vegjlit, krejt partitë më të mëdha e bajnë, qysh ia kanë ba ORA-s e FER-it, e qe dëshmia edhe PSD-së. E kur dojnë me i hjekë të vetët brenda partie prej loje, i hjekin duke iu vjedhë vota përbrenda. Lirakut ia kanë ba qashtu në PDK, e kryet prema nëse s'ia kanë ba edhe Hakisë njajtë”, thekson Ismaili, derisa Abazin e ofendon me termin “bagël”. “Sado bagël që mendoj se është Hakiu, janë do bagla fort ma të mëdha qaty mrena, që shansë nuk kanë me marrë më shumë vota se ai”, shtoi ai.

Ish-deputeti i LVV-së dyshon që edhe atij vetë i janë vjedhur vota.

“Kam dalë prej politike kur e kam kuptue që janë krejt hajna e rrenca. Edhe faqebardhë mbes që dy mandate, një herë 7000, tjetrën 17000 vota, i kam marrë pa i lypë kurrkujt votë, pa ia rrasë kurrkujt kartvizitën hunve, e pa iu imponue kurrë në jetë, por me punë të drejtë. E tash pe di që edhe qaty mi paskan hangër koxha do, posaçërisht kur s'kam ndejtë me të mëdhenjtë ma”, deklaroi Fisnik Ismaili. /Zëri/