Reagon avokati: Arrestimi i tetë zyrtarëve policorë u bë në mënyrë mashtruese dhe pa bazë ligjore

Reagon avokati: Arrestimi i tetë zyrtarëve policorë u bë në mënyrë mashtruese dhe pa bazë ligjore

Aktuale March 07, 2021 - 00:05

Mëngjesin e së premtes u arrestuan tetë zyrtarë policorë nën dyshimin se kanë kryer disa vepra penale siç janë“Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”, “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës ose autorizimeve publike”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substance narkotike”.

Lidhur me këtë rast ka reaguar avokati Naim Rudari nga Oda e Avokatëve të Kosovës, e i cili përfaqëson njërin nga të arrestuarit.

Në një postim në “Facebook”, Rudari theksoi se arrestimi i tetë zyrtarëve policorë tregon siç e quan ai, pasiguri juridike.

Rudari bën të ditur se fillimisht disa policë janë ftuar në stacionin policor kinse për një operacion policor, por kur janë paraqitur në stacionin ata janë arrestuar.

“Pasiguri Juridike, me rastin e arrestimit të tetë zyrtarëve policor! Dje me datën 05/03/2021 disa polic u ftuan të paraqiten në punë në ora 06:00 të mëngjesit kinse për një operacion policor, kur ata u paraqitën në stacion u arrestuan ashtu siç ishin të uniformur kinse për disa raste të ndodhura në nëntor dhe dhjetor të vitit 2019. Me rastin e arrestimit të policëve në mënyrë mashtruese, zyrtarisht u tha nga zyrtarët më të lartë të institucioneve kompetente se ata ngarkohen me shumë vepra penale ndër të cilat edhe për veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarje dhe shitja e paautorizuar e substancabe narkotike”, ka shkruar Rudari.

Më tëj, Rudari thekson se në seancën dëgjimore të mbajtur sot, asnjëri nga zyrtarët policorë nuk është ngarkuar me veprën penale lidhur me narkotikë.

“Sot në seancen dëgjimore në kërkesën për caktimin e paraburgimit asnjëri nga zyrtarët policor nuk ngarkohej me veprën penale lidhur me narkotikë e kryesisht zyrtarët policor janë ngarkuar tani me veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” e që për ta shjelluar më mirë përdorim i forcës nga zyrtarët policor për ta vlerësuar a ka pasur tejkalim të përdorimit të forcës apo jo, ndërsa vepra penale e narkotikëve mbeti vetëm në konferencë”, ka shkruar ai.

Rudari po ashtu theksoi se ky arrestim është bërë në mënyrë të padrejtë dhe pa bazë ligjore.

“Ne paraqitëm vërejtjet tona në gjykatë se, cila ishte arsyeja e atij spektakli që për dyshimet e vitit 2019 kur ishin përdoruar pa aktvendim për fillimin e hetimeve edhe masat e fshehta, të ftohen zyrtarët policor për operacion dhe atyre tu bëhet kurthi i arrestimit. Gjithsesi e pa drejtë, arrestim pa bazë ligjore e në kundërshtim me nenin 162 të KPPK-së, e pa arsyeshme, e panevojshme dhe e pamoralshme e cila nuk mund të quhet ndryshe veç se pasiguri juridike.Ndonëse u arrestuan padrejtësisht, ata u ndaluan dhe disa nga ata në mesin e të cilëve edhe njëri që unë e përfaqësoj, u dërguan në paraburgim duke e shtrembëruar edhe më shumë drejtësinë ata që janë për të bërë drejtësi, pa koment!”, ka shkruar Rudari në “Facebook”. /Zëri