
Në sulmin ndaj Jasharëve u vranë gruaja dhe katër fëmijët e Rifat Jasharit, rrëfimi për ta

Në qëndresën e Jasharëve Rifat Jashari humbi katër fëmijët e tij, vajzat Hidajetin (18-vjeçare), Valdeten (15-vjeçare), Igballen (11-vjeçare), djalin Igballin (13-vjeçar), si dhe gruan Zarifen (49-vjeçare)
Sapo vë këmbën në Prekaz dhe nisesh drejt kullave të Jasharëve memoria të kthen 23 vjet pas në ditët e 5, 6 dhe 7 marsit, kur u vranë 20 anëtarë të kësaj familjeje, prej tyre 13 fëmijë.
Të vizitosh kullat aty ku ranë dëshmorë Ademi dhe Hamza dhe u vranë anëtarët e tjerë të familjes ose të bësh homazhe para varrezave të tyre, dilema zgjidhet shpejt, homazhet para varreve të tyre të bënë të ndiesh jo veç dhimbje, por edhe respekt, edhe krenari për secilin nga ta deri te fëmija më i vogël i familjes, Blerina, shtatëvjeçare, raporton Zeri.info.
Gjithçka është pastruar, rrugët, varrezat..., Prekazi shkëlqen nën lavdinë e heronjve e martirëve. Kullat janë aty ende me gjurmët e krimit, që dëshmojnë sulmin e forcave serbe ndaj Jasharëve.
Ndërsa, në foton e 56 të rënëve në masakër, e cila është e vendosur në Muzeun e Jasharëve, shkëlqejnë fytyrat në fotot e fëmijëve, që i bënë sa ishin gjallë.
Nga 13 fëmijë të vrarë të kësaj familjeje janë edhe katër fëmijët e Rifat Jasharit, ndonëse ai nuk preferon asnjëherë t’i ndajë nga fëmijët e Jasharëve dhe të flasë veçmas për anëtarët e familjes së tij të vrarë. Madje këtë s’e ka bërë asnjëherë.

Nga tre djem sa kishte Shaban Jashari, sot jeton vetëm Rifati, i cili në kohën e luftës ishte në Gjermani së bashku me djalin Muratin dhe pjesëtarë të tjerë të familjes.
Rifati kishte shtatë fëmijë, sot jetojnë vetëm tre djemtë e tij; Murati, Bashkimi dhe Fazliu, raporton “Zeri.info”.
Në qëndresën e Jasharëve Rifat Jashari humbi katër fëmijët e tij, vajzat Hidajetin (18-vjeçare), Valdeten (15-vjeçare), Igballen (11-vjeçare), djalin Igballin (13-vjeçar), si dhe gruan Zarifen (49-vjeçare).
Siç ka ndodhur te te gjithë të gjallët e kësaj familjeje, edhe djemtë e Rifatit i kanë përtërirë emrat e të vdekurve në familjen e tyre.
Murati, djali i madh i Rifatit, ka përtërirë emrin e gjyshit Shabanit, gjyshes Zahides, si dhe të nënës së tij Zarifes.

Bashkimi, djali i dytë, ka përtërirë emrin e vëllait Igballit dhe të motrës Valdetes, ndërsa djali i vogël Fazliu është i pamartuar.
Në Ditën e Flamurit Vjosa Osmani, ushtruese e detyrës së presidentes, ia ndau Rifat Jasharit “Urdhrin e Lirisë”.
“Akordimi i ‘Urdhrit të Lirisë’ për Rifat Jasharin është nderim ndaj jo vetëm atij si një trashëgimtar i shpirtit të komandantit dhe familjarëve të tjerë të rënë, por mirënjohje për atdhetarin që s’pushon kurrë sa herë që i jepet rasti ta ngrejë zërin për unitet e bashkim rreth vlerave të lirisë”, thuhet në mesazhin e Osmanit.
Rifat Jashari është djali i Shaban Jasharit, vëllai i Hamëz Jasharit dhe komandantit legjendar Adem Jasharit, e shtylla e familjes, siç e quan Bekim Jashari axhën e tij.
Rifati në luftë humbi bashkëshorten Zarifen, atëherë 49-vjeçare dhe katër fëmijët; vajzën Hidajetin që ishte 18 vjeçe, Valdeten 15-vjeçare, Igballen 11 vjeçe, djalin Igballin, që kishte mbushur 13 vjeç.
“Rifati, që është ende gjallë sot për fat tonin, është shtylla e shtëpisë”, thotë Bekim Jashari për “Zërin”.
Ai tregon sesi e përballuan humbjen e familjes.
“Mixha pas rënies së familjes, derisa ishim në Gjermani, e pyeti një vizitor: ‘shumë bre baca Rifat, a po mund të mbahesh?’ e mixha ia ktheu: ‘po mbahemi, gjithsesi i fortë, nuk janë pak, e vërtetë, shumë janë - 56, e tërë lagjja’, po i dhashë 56, e i fitova 7 milionë”, citon Bekimi mixhën Rifat.
Rifat Jashari është i martuar, por nga martesa e dytë nuk ka fëmijë. /Zëri