Beqiri: Zgjedhjet e brendshme në LDK mos të kontrollohen nga kryesia e partisë dhe kryetari i saj

Beqiri: Zgjedhjet e brendshme në LDK mos të kontrollohen nga kryesia e partisë dhe kryetari i saj

Aktuale March 02, 2021 - 16:42

Xhavit Beqiri, ish-këshilltar politik i kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti ka folur për zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Beqiri tha se brenda LDK-së ka nevojë për ndërrim brezash dhe jo për reformë konceptuale.

Sipas tij, zgjedhjet e fundit në vend ishin një sinjal shumë i rëndësishëm që elektorati i LDK-së kërkon ndërrim të ekipit dhe prijësit të saj.

“Partitë e spektrit të djathtë ku bën pjesë dhe LDK-ja, duhet t’i përmbahen origjinalitetit të saj. Nuk ka nevojë për reformë konceptuale, më shumë ka nevojë për ndërrim brezash nëse merren parasysh rezultatet në zgjedhjet  e fundit në Kosovë. LDK-ja nuk ka nevojë të ndryshoj asgjë në frymën e saj origjinale, mirëpo zgjedhjet e fundit ishin një sinjal shumë i rëndësishëm që elektorati i LDK-së kërkon ndërrim të ekipit dhe prijësit. Është logjike që një subjekt politik të pësoj humbje…”, tha ai.

I pyetur se ku “çaluan” ish kryetari i LDK-së dhe të tjerët nën udhëheqjen e LDK-së, ai tha: “Me gjasë elektoratit të LDK-së nuk i kanë pëlqyer eksperimentet e shumta të udhëheqësisë, sidomos me koalicionet e fundit. Natyrisht mund të ketë ndikuar edhe shkëputja e një pjese, të ish-kandidates së LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e parafundit, Vjosa Osmani. Janë një varg faktorësh të cilat duhet të shihen me kujdes”.

Beqiri tha se ka nevojë për reflektim të brendshëm dhe se siç tha ai, kryetari i ri i LDK-së duhet të takohet me elektoratin e saj, duke filluar nga nëndegët dhe degët saj.

Ai tha se në të ardhmen në zgjedhjet e brendshme të LDK-së nuk duhet të ndiqen praktikat e kaluara nga kryesia e saj.

“Duhet të analizohet me gjakftohtësi të gjitha gjërat dhe të shihet programi për të ardhmen. Për mua nuk është e ngutshme një rikthim i shpejt por duhet të bëhet një rishikim i përgjithshëm në tërësinë e saj…Mos të ndiqen praktikat e mëparshme që zgjedhjet e brendshme në LDK në një farë mënyrë të kontrollohen dhe të instruktohen nga kryesia e partisë, sepse po del që kjo politikë e udhëheqjes nuk ka qenë e qëlluar”, u shpreh Beqiri, në një intervistë për Telegrafin.

Mirëpo, a ka nevojë LDK-ja për një ndryshim të përgjithshëm në degët dhe nëndegët e saj nëpër komuna të Kosovës, Beqiri theksoi: “Fakti që LDK-ja nuk fitoj në asnjë komunë të Kosovës tregon se gjendja nuk është e mirë në degët dhe nëndegët e saj. LDK ka pasur nevojë që t’i hyj një procesi zgjedhor në tërë shtrirjen e saj dhe të deleguarit të tij në kuvendin e ri të LDK do të mund të deklaroheshin për kryetarin e saj”.

Beqiri po ashtu nuk dha një emër se kush mund të jetë kryetari i ri i LDK-së, pas dorëheqjes së Isa Mustafës.

“Për mua nuk është e rëndësishme pozicionimi i emrave në LDK. LDK-ja duhet të kthehet në bazamentin e vet e mbrojtur nga president Rugova. LDK-ja ka qenë sinonim i një subjekti politik të udhëhequr nga elita intelektuale e Kosovës. Më e domosdoshme është që LDK-ja të përgatitet ngadalë dhe pa nguti për zgjedhjet brenda saj…Ky proces kërkon vite dhe duhet të jetë një udhëheqës që ka durim,  ka urtësinë, vizionin dhe vendosmërinë…”, ka thënë ndër të tjera, Xhavit Beqiri.