Kurti pas takimit me Lajçakun: Unë nuk kam diskutuar me harta

Kurti pas takimit me Lajçakun: Unë nuk kam diskutuar me harta

Aktuale March 01, 2021 - 21:27

“Unë nuk kam diskutuar me harta”.

Kjo është përgjigja që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e dha kur u pyet nëse ka diskutuar lidhur me hartën e cila e tregon Kosovën si pjesë integrale të Serbisë e cila u pa në zyrën e Emisarit Special të BE-së, Mirosllav Lajçak.

Kjo hartë u bë kryetema e ditëve të fundit duke nxitur shumë reagime dhe kundërshtime.

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi kishte dhënë një sqarim lidhur me këtë duke deklaruar se ishte vetëm një keqkuptim dhe se në atë hartë është edhe vija që e ndan Kosovën me Serbinë.

“Pasi harta në zyrën time në një fotografi të paqartë nga ekrani gjatë intervistës time ka shkaktuar disa keqkuptime, unë po e ndaj një fotografi nga afër të saj. Kjo është një hartë zyrtare e BE-së për Ballkanin Perëndimor. Kosova është aty, ashtu siç është edhe vija që e ndan Kosovën nga Serbia”, kishte shkruar ai në Twitter.

Diplomati sllovak ka ardhur sot në Kosovë në një vizitë treditore ku pritet që të takohet me të gjithë udhëheqësit politikë./Klankosova