Vetëvendosja e quan skandal dhe të rrezikshëm tërheqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit

Vetëvendosja e quan skandal dhe të rrezikshëm tërheqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit

Aktuale March 01, 2021 - 08:43

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas raportimit se Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për të revokuar fletarrestimin për një nga eksponentët kryesorë të dyshuar për krim të organizuar, Milan Radojçiq.

Vetëvendosja në reagim thotë se Milan Radojçiqi, të cilit Gjykata ia hoqi fletarrestimin, për gjithë këto vite sfidon ligjin, por edhe sovranitetin e integritetin e Kosovës.

“Me veprimtarinë e tij kriminale, sidomos në veri të vendit, ai ka qenë gjithnjë pengesë e jetës normale, duke terrorizuar të gjithë qytetarët e të gjitha komuniteteve pa dallim. Po ashtu Milan Radojçiqi, sipas Prokurorisë, ishte ndër të dyshuarit kryesorë për vrasjen e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviqit, për çka ka qenë ndër të tjera në kërkim nga organet e sigurisë”, thuhet në reagim.

Sipas Vetëvendosjes, vendimi i Gjykatës është mbajtur i heshtur dhe larg opinionit publik, ndërsa përveç si skandal, e konsiderojnë këtë vendim edhe të rrezikshëm.

“Ky vendim i Gjykatës, i mbajtur heshtur, larg opinionit publik, përveç skandalit, përbën edhe rrezik e të panjohura. Si mund dikujt që i është përgatitur fletarrestimi për dyshime si i përfshirë në krim të rëndë t’i revokohet ai? Kush është prokurori i Prokurorisë Speciale, i cili paska kërkuar nga Departamenti Special pa asnjë argumentim të qëndrueshëm që të revokohet urdhërarresti për një ndër kriminelët më të mëdhenj të pasluftës?

Kushdo këtë veprim të papritur e sheh me dyshim dhe si larje të borxheve të mëhershme ose kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Më tej, nga LVV-ja kanë thënë se Prokuroria Speciale dhe Gjykata Themelore duhet t'ia shpjegojnë publikut të Kosovës se pse nuk u duhet arrestuar më një kriminel.

Po ashtu i kanë bërë thirrje Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor të veprojnë, pasi ata vlerësojnë se rasti në fjalë është skaji i pasigurisë, që mundet të shkaktojë për rendin publik ata që duhet ta mbrojnë atë.

Në fund të reagimit thuhet se ky rast dëshmon se sa i nevojshëm është vetingu në drejtësi.

“Si qeverisje e ardhshme jemi të përcaktuar qartë në funksion të sundimit të ligjit e triumfit të së drejtës, por kjo gjë, siç po dëshmohet, nuk mund të arrihet me gjykatës e prokurorë që kanë shumë borxhe ndaj politikës ose ndaj krimit të organizuar. Andaj na duhet vetingu në gjyqësi e prokurori, na duhen profesionistë patriotë që i shërbejnë ligjit e vendit e jo burokratë në shërbim të krimit. As atij vendor e as atij rajonal”, thuhet në fund të reagimit. /Zëri