Vizita e Lajçakut në Kosovë, Beqiri: Produkt i lobimit serb, nuk është personi i duhur për dialogun

Vizita e Lajçakut në Kosovë, Beqiri: Produkt i lobimit serb, nuk është personi i duhur për dialogun

Aktuale February 26, 2021 - 22:48

I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak,  do të vizitojë Kosovën, por edhe Serbinë, në muajin e marsit. Por si shihet kjo vizitë nga Prishtina, aty ku tensionet me diplomatin sllovak janë të dukshme.

Polemikat u shtunë pas një interviste ku pas tij duket një hartë,  mbi të cilën jepet përshtypja që nuk ndahet kufiri i Kosovës nga ai i Serbisë.

Sipas analistit Shkumbin Beqiri, Lajçaku thjesht nuk është personi i duhur, në kuadër të një marrëveshje Prishtinë-Beograd.  “Lajçaku është produkt i lobimit serb. Ai nuk është personi i duhur për të negociuar midis Kosovës dhe Serbisë. Nga fillimi i mandatit të tij ai nuk ka paraqitur asnjë plan, por ka bërë deklarata ku i ka vënë theks asociacionit. Që nga fillimi nuk ka lënë përshtypjen e një personi që mund të qaset në mënyrë neutrale ndaj këtij problemi”, thotë ai.

Sipas Beqirit, dialogu me Serbinë është në vend të katërt ose të pestë në prioritetet e kosovarëve, por partnerët ndërkombëtarë do të detyrojnë qeverinë Kurti që t’i japë një prioritet të veçantë.

“Është konsumuar mjaft kohë, dhe rezultatet nuk janë ato të priturat. Kurti e ka mundësinë të mbajë një qëndrim më të rreptë, sepse tashmë ka një komoditet në qeverisje që e faktorizon atë. Edhe Kurti duhet t’i kërkojë BE-së një seriozitet të shtuar, dhe mundësisht ndërrimin e negociatorit”, thotë analisti për A2, i bindur që Kurti falë epërsisë së votave të diasporës dhe mbështetjes të deputetëve të minoriteteve jo-serbe, mund të formojë një qeveri të qëndrueshme.