Vjedhja e 2.1 milionëve nga Thesari, Prokuroria ka ngrirë 34 llogari bankare në vlerë prej 600 mijë eurove

Vjedhja e 2.1 milionëve nga Thesari, Prokuroria ka ngrirë 34 llogari bankare në vlerë prej 600 mijë eurove

Aktuale February 25, 2021 - 15:51

Prokuroria Speciale ka dhënë detaje të reja në lidhje me hapat që po bëhen në rastin e vjedhjes së 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Siç ka bërë të ditur Prokuroria, deri më tani lidhur me këtë rast janë arrestuar dy persona, të cilët gjenden në paraburgim për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit” dhe “Shpëlarja e parave”, lidhur me veprën penale “Pastrimi i parave”.

Prokuroria Speciale njofton se janë duke vijuar veprimet hetimore shumëdimensionale, duke përfshirë edhe institucionet dhe njësitë si: Njësia e Inteligjencës Financiare (NJIF), Policia e Kosovës - Departamenti për Hetimin e Korrupsionit, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) etj., transmeton “Zeri.info”.

“Deri më tani janë intervistuar bartës të llogarive në të cilat janë transferuar të hollat, është bërë intervistimi i dëshmitarëve, analizimi i dokumentacionit, hetimi financiar dhe identifikimi i pronave. Gjithashtu ju njoftojmë se janë ngrirë 34 llogari bankare të bizneseve, në të cilat janë transferuar të hollat nga i pandehuri K.Sh., pronar i ‘LDA Group’ SHPK.Vlen të theksohet se deri më tani shuma e përgjithshme e ngrirë është rreth 600.000 euro, janë sekuestruar katër automjete, vlera e përafërt e të cilave është 100.000 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Po ashtu bëhet e ditur se janë në proces të realizmit të kthimit të të hollave, të cilat janë tërhequr nga bankat komerciale në emër të realizmit të mbitërheqjeve, kredive etj. e të cilat kanë gjeneruar nga transferimi i paligjshëm i realizuar nga ana e të pandehurve nga Thesari i Shtetit.

“Prokuroria Speciale njofton se në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar kemi bërë dy (2) kërkesa adresuar autoriteteve të Republikës së Turqisë lidhur me transferimin prej 440.000 eurove, të realizuara nga llogaria e ‘LDA Group’ SHPK në pronësi të të pandehurit K.Sh, në llogarinë e një biznesi me seli në Republikën e Turqisë. Është kërkuar ngrirja e llogarisë së identifikuar, është bërë identifikimi i bartësit/pronarit të llogarisë, personat e autorizuar, janë shikuar pasqyrat e transaksioneve”, thuhet në njoftim. /Zëri