Infektuar: 67906
Shëruar: 59174
Vdekur: 1587
Kurti, thirrje publike AKP-së të mos hapë valë të reja të privatizimit

Kurti, thirrje publike AKP-së të mos hapë valë të reja të privatizimit

Aktuale February 23, 2021 - 10:27

Kandidati për kryeministër Albin Kurti i është drejtuar me një thirrje publike Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Kurti ka kërkuar nga AKP-ja që të mos sfidojë mekanizmat institucionalë dhe të mos provojë të hapë valë të reja të privatizimit ose likuidimit në kundërshtim me vendimet që janë në fuqi, transmeton “Zeri.info”.

Kurti këtë e ka bërë pasi, siç ka thënë, është informuar që Bordi i AKP-së krejtësisht paligjshëm po synon keqpërdorimin e vakuumit institucional, duke tentuar të fillojë valë të reja të likuidimit në kundërshtim me vendimet që kishte marrë sa ishte kryeministër.

Kandidati për kryeministër, i cili ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit, ka përsëritur se në programin e qeverisë së tij një nga shtyllat kryesore vazhdon të mbetet lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Shkrimi i plotë i Kurtit:

Në programin tonë qeverisës kishim paraparë edhe ndryshimin rrënjësor të statusit të Agjencisë Kosovare të Privatizmit (AKP). Synonim rishikimin e gjithë procesit të privatizmit e që nënkuptonte një trajtim ndryshe si të pronës publike, ashtu edhe të asaj shtetërore. Qeveria jonë në dy mbledhje të saj, më 10 mars dhe më 23 mars 2020, kishte nxjerrë dy vendime, përmes të cilave kërkonte nga AKP-ja të pezullojë fillimisht të gjitha veprimet në lidhje me pronat e palujtshme nga lista e aseteve për qiradhënie, dhe, pastaj, të pezullojë në afat të pacaktuar të gjitha veprimet në lidhje me pronat e paluajtshme që i ka nën administrim. Këto vendime ishin shfuqizuar nga qeveria, e cila u instalua pas nesh, por megjithatë kishte vazhduar kërkesa ndaj AKP-së që të mos shpallë asnjë valë të re të privatizimit. Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës kishte krijuar një komision hetimor parlamentar për të hetuar keqpërdorimet eventuale në procesin e privatizimit.

Tani jam informuar që Bordi i AKP-së krejtësisht paligjshëm po synon keqpërdorimin e vakuumit institucional, duke tentuar të fillojë valë të reja të likuidimit në kundërshtim me vendimet e lartpërmendura. Thirrjet e Bordit në gjoja pavarësinë e institucionit dhe në nevojën që paska vendi për privatizim më të shpejtë në mënyrë që të gjenerohen të hyra shtesë për buxhetin e shtetit janë konfirmim i mëtejmë i brengës sonë për keqpërdorime në këtë institucion. E shoh shumë të rëndësishme që publikisht t’i drejtohem Bordit të AKP-së me kërkesë që të mos sfidojë mekanizmat institucionalë dhe të mos provojë të hapë valë të reja të privatizimit ose likuidimit në kundërshtim me vendimet që janë në fuqi. Jua bëj me dije se një nga shtyllat kryesore të programit të qeverisë sonë vazhdon të mbetet lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rrjedhimisht, brenda kësaj kornize do të trajtohet edhe sfidimi eventual i Bordit të AKP-së në raport me qeverinë dhe Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.