Komandanti i FSK-së për kërcënimet e Serbisë për luftë: Ushtria e Kosovës është këtu dhe gati
Foto:Laura Hasani

Komandanti i FSK-së për kërcënimet e Serbisë për luftë: Ushtria e Kosovës është këtu dhe gati

Aktuale February 18, 2021 - 18:29

Dje u shënua 13-vjetori i pavarësisë së Kosovës. Në këtë ditë festive për Kosovën, Komandanti i FSK-së, gjenerali Rrahman Rama në një intervistë për “AbcNews”, foli për arritjet dhe sfidat e Forcës së Sigurisë, ndërsa kishte një përgjigje të drejtpërdrejtë edhe për Serbinë që në muajt e fundit ka kërcënuar disa herë për luftë. 

Rama tha se në mars do të nisen në mision e parë jashtë vendit, në Kuvajt krah për krah me ushtrinë amerikane.

“Dislokimi jashtë vendit me gardën e Iowas do të bëhet në mars. Tani do të jemi në Kuvajt. Ne jemi në proces të zbatimit të çështjeve teknike dhe presim që në mars ushtarët tanë të jenë krah për krah ushtrisë amerikane në Kuvajt. Ky është një lajmi madh për Kosovën. Një lloj shpagimi i asaj përkrahje që kemi pasur prej partnerëve tanë strategjikë që nga 1999-ta”, u shpreh Rama.

Misionin jashtë vendit, Rama e shikon si hapin e parë drejt anëtarësimit në NATO. “Është hapi i parë drejt anëtarësimit në NATO. Ne jemi në një farë forme pjesë e NATO-s, ekipi këshillues i NATO-s është në Kosovë. NATO sa është ushtarake është edhe politike, duhet ta pranojmë që kemi 4 shtete anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës”.

“Sa i përket anës ushtarake nuk shoh asnjë problem në zbatimin e atyre kritereve të jemi pjesë e strukturave euro-atlantike, por më shumë është politike. Mbi bazën e tranzicionit ky proces do të marrë 10 vite. Kemi marrë për bazë të gjitha rrethanat, qoftë ato ekonomike, rezoluta 1244, unë kam përgjegjësi ti ndërtoj këto kapacitete. Ne nuk duhet të harrojmë të kaluarën por të mendojmë për të ardhmen”, theksoi komandanti i FSK-së.

Kërcënimet e Serbisë për luftë, gjegjësisht të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kanë qenë të shumta në muajt e fundit, por në rast “të një çmendurie të Beogradit për të hyrë në kufi”, a është gati ushtria e Kosovës të përgjigjet?

“Ne jemi këtu, jetojmë këtu dhe çdo nevojë që ka Kosova, jemi të gatshëm t’i përgjigjemi, jo vetëm Serbisë, por kujtdo që cenon sovranitetin e vendit, ky është misioni kushtetues i vendit”, tha gjenerali.

Por a ka ai një përgjigje direkte për Vuçiqin? “Unë realisht nuk i komentoj deklaratat politike dhe nxitëse, nuk është edhe në përgjegjësinë time, por për mua është me rëndësi t’i ndërtoj kapacitetet që kur qytetarët e Kosovës kanë nevojë për ne, të jemi të gatshëm t’i kryejmë detyrat tona”, tha ai.

Por si e komenton ai armatosjen e Serbisë, militarizim të marrë edhe nga vendet e Perëndimit edhe Lindjes? “Ne kemi një dallim me shtetin fqinj (Serbinë), orientimi ynë është drejt Perëndimit, i tyre është diçka tjetër. Ky është dallimi mes nesh. Nuk dua të përzihem në punët e brendshme të askujt, por ne jemi në ndërtim të kapaciteteve në bazën e standardeve të NATO-s. Jemi në rrugë të mirë”, tha Komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama.