IKSHPK-ja kërkon nga partitë politike t’i respektojnë masat
Foto: Laura Hasani

IKSHPK-ja kërkon nga partitë politike t’i respektojnë masat

Aktuale January 27, 2021 - 15:28

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës thotë se gjatë këtij muaji është raportuar numër më i madh i rasteve pozitive dhe i vdekjeve.

Ata theksojnë se mjekët janë të stërngarkuar në spitalet e vendit, raporton “Zeri.info”.

“Duke pasur parasysh vlerësimin e situatës aktuale epidemiologjike me COVID -19, këtë muaj është raportuar numër më i madh të rasteve pozitive dhe i vdekjeve. Mjekët të stërngakuar në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinëzar e shkatërrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale e njerëzore”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

IKSHPK-ja bën thirrje që të respektohen masat nga qytetarët si masë mbrojtëse nga COVID-19.

“Numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës së masave. IKSHPK-ja përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. IKSHPK-ja apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19”, thuhet në reagimin e IKSHPK-së, derisa thirrje të veçantë kanë për tubimet partiake.

“Në veçanti bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike. Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë. Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës”, përfundon reagimi. /Zëri