Infektuar: 70185
Shëruar: 313132
Vdekur: 1616
Haradinaj-Stublla do dialog nën udhëheqjen e SHBA-së

Haradinaj-Stublla do dialog nën udhëheqjen e SHBA-së

Aktuale January 27, 2021 - 13:35

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, zhvilloi një takim me të dërguarin special të Mbretërisë së Norvegjisë për Ballkanin, Arne Sannes Bjornstad dhe ambasadorin norvegjez në Prishtinë, Jens Erik Grondahl.

Ministrja u shpreh se duke qenë se ambasadori Bjornstad është njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit dhe raportit të ndërlikuar Kosovë – Serbi, në këtë takim u diskutua gjerë e thellë kompleksiteti i kësaj çështjeje.

“Kosova për më shumë së një dekadë ka qenë e përkushtuar dhe e angazhuar në dialog, por pa epilog. Tani Kosovës dhe Serbisë i duhet dialog me epilog dhe kjo duhet të ndodhë të afat sa më të shkurtër – që të ndodhë njohja e ndërsjellë në kufijtë ekzistues dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor përfundimisht të hyjnë në agjendën eurointegruese. Ky ishte mesazhi që përcolla sot, duke theksuar gatishmërinë e Kosovës për të respektuar një agjendë të definuar të dialogut në aspektin kohor, nën lidershipin e SHBA-së dhe në koordinim me BE-në, gjithnjë duke ruajtur tri parimet e panegociueshme të Kosovës: integritetin territorial, rendin Kushtetues dhe karakterin unitar të vendit”, u shpreh ajo.

Haradinaj-Stublla falënderoi Norvegjinë për përkrahjen ndaj Kosovës, duke vlerësuar marrëdhëniet e mira midis të dyja vendeve.

Shefja e diplomacisë kosovare tha se pret që Norvegjia të jetë mbështetëse e Kosovës në aspiratën për anëtarësim në NATO, për të zgjeruar diametrin e sigurisë dhe stabilitetin në rajon edhe më gjerë.

“Teksa Kosova është drejt procesit zgjedhor, bëra të ditur se nuk do të ketë asnjë vakum institucional dhe se do të vazhdojë traditën e zgjedhjeve të lira e demokratike”, u shpreh ajo. /Zëri