Në këto komuna do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë këtë javë

Në këto komuna do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë këtë javë

Aktuale January 27, 2021 - 12:42

U.d. i kryeshefit ekzekutiv të KRU “Prishtinës” SHA, Sokol Xhafa, ka bërë të ditur se gjatë ditëve të ardhshme do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë në disa komuna, duke përfshirë këtu edhe në një pjesë të Prishtinës.

I ftuar në emisionin “Gjesi” në “T7”, ai ka thënë se ndërprerje të furnizimit me ujë do të ketë në Drenas, Fushë Kosovë, Obiliq e në disa zona të Prishtinës.

“Trubullira vazhdon dhe sipas parashikimeve reshje do të ketë edhe të premten të shtunën dhe të dielën, do të thotë probleme me furnizim 24 orë do të ketë Drenasi, sepse afektohet direkt nga pjesa e turbullirës në kanal, Obiliqi, Fushë Kosova por edhe në disa zona të Prishtinës do të ketë mungesë të furnizimit 2 deri në 4 orë”, ka theksuar ai.

Xhafa ka thënë se Qendra Klinike Universitare e Kosovës, objektet qeveritare e objektet publike do të furnizohen 24 orë me ujë.

Përndryshe, ai ka thënë se si pasojë e turbullirës para dy ditësh ka rënë nga sistemi impianti në Shkabaj.

Ai ka deklaruar se për një kohë ka pasur ndërprerje të ujit në Fushë Kosovë, ku disa familje që jetojnë në objekte më të larta nuk kanë pasur furnizim për më shumë se 12 orë.

“Si pasojë e turbullirës së madhe në pjesën e kanalit të sistemit të Ibër-Lepencit ka rënë nga sistemi para dy ditësh impianti në Shkabaj, dje e kemi rikthyer në punë që nga ora 14:00 deri në orën 04:00 të mëngjesit. Kaq kohë kemi arritur të trajtojmë me një kapacitet minimal me kushtin që të furnizojmë Fushë Kosovën. Mbrëmë nga ora 18:00 deri në orën 00:00 kemi arritur të furnizojmë Fushë Kosovën. Sot kanë filluar që në mëngjes të punojnë. Shpresojmë që pasdite të rikthehet në punë komplet pjesa e impiantit në Shkabaj”, ka shtuar ai.

Xhafa ka thënë se kanë marrë shumë ankesa nga qytetarët për shkak të ndërprerjes së furnizimit. /Express