Reagon “Handikos”-i, Ahmeti nuk realizoi premtimin prej 80 eurove për personat me aftësi të kufizuara

Reagon “Handikos”-i, Ahmeti nuk realizoi premtimin prej 80 eurove për personat me aftësi të kufizuara

Aktuale January 27, 2021 - 11:58

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, u kishte premtuar personave me aftësi të kufizuara që jetojnë në Prishtinë që në fundvit do të subvencionoheshin me nga 80 euro, si mbështetje ndaj situatës me pandeminë COVID-19.

Për këtë “Handikos”-i ka reaguar, duke bërë të ditur se nga kontaktet e vazhdueshme me personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët të tyre, deri më tani asnjë prej tyre nuk ka përfituar nga premtimi i Ahmetit.

Në një njoftim për media, “Handikos”-i theksoi se kanë kërkuar sqarime nga Drejtoria e Mirëqenies Sociale, por që nuk kanë marrë ndonjë përgjigje të qartë.

“Andaj, ‘Handikos’-i bën kërkesë publike ndaj Komunës së Prishtinës dhe kryetarit Ahmeti që të dalin me një sqarim lidhur me premtimin e bërë para dy muajve, në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara të informohen nëse procesi është anuluar ose do të përfundojë së shpejti", thuhet ndër të tjera në njoftim. /Zëri