Historianët e Deçanit reagojnë ndaj deklaratës së Kosnettit për Manastirin e Deçanit

Historianët e Deçanit reagojnë ndaj deklaratës së Kosnettit për Manastirin e Deçanit

Aktuale January 26, 2021 - 22:05

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, i cili tha se ka raste kur institucionet e Kosovës nuk kanë vepruar sipas ligjit për t’i zbatuar vendimet e gjyqësorit, e ndër to përmendi edhe rastin e Manastirit të Deçanit.

Sipas historianëve të Deçanit, Kosnetti duhet të kuptojë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në maj të vitit 2016, është marrë në bazë të vendimeve të masave të dhunshme të Millosheviqit.

“Ambasadori amerikan në Kosovë duhet të kuptojë se vendimi antikushtetues dhe antiligjor i Gjykatës Kushtetuese i majit të vitit 2016, është i marrë në bazë të vendimeve të kohës së masave të dhunshme të Millosheviqit, në periudhën 1990-1999, vendime këto që i ka shpallur null administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe si i tillë është vendim i papranueshëm dhe i pazbatueshëm”, thuhet në reagim. Historianët e Deçanit thonë se ambasadori Philip Kosnett dhe ambasadorët e tjerë të akredituar në Prishtinë, duhet të kuptojnë lojën dyfytyrëshe të Igumenit të Manastirit të Deçanit, i cili, sipas tyre, është një nga arkitektet kryesorë të luftës së shtetësisë së Kosovës.

"Ai, si një person tepër i rrezikshëm, me angazhimet e tija dashakeqe, i ka bere shumë dëme Republikës së Kosovës. Udhëheqësit e Manastirit të Deçanit, para së të kërkojnë prona në kurriz të qytetarëve të Deçanit, duhet të kërkojnë falje për gjenocidin që ka kryer kisha, populli dhe shteti serb kundër shqiptarëve të Kosovës. Kërkoj që Komuna e Deçanit dhe Agjencia Kadastarle e Kosovës, që të mos e zbatojnë vendimin antikushtetuese dhe antiligjor të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ngase me zbatimin e tij, zbatohen ligjet e Milloshevqit në Kosovë. Ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria”, duhet të shpallen pasuri kombëtare e Kosovës. Çdo tentim për t’ia falë Manastirit të Deçanit, është veprim i gabuar dhe i papranueshme”, thuhet në reagimin e historianëve të Deçanit.

Kosnetti, në një opinion të publikuar në gazetën "Zëri", theksoi se rasti i pronësisë së Manastirit të Deçanit është një prej rasteve kur institucionet e Kosovës nuk kanë vepruar sipas ligjit për t’i zbatuar vendimet e gjyqësorit.

"Në vitin 2016, pas shumë vitesh të procedurave gjyqësore, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi pronësinë e Kishës Ortodokse Serbe mbi disa hektarë tokë. Megjithatë, me mbështetjen e heshtur të zyrtarëve të lartë dhe udhëheqësve të partive – përgjatë disa qeverive të udhëhequra nga parti të ndryshme politike, për gati pesë vjet – zyrtarët kadastralë të nivelit qendror dhe lokal nuk zbatuan vendimin për regjistrimin e ligjshëm të tokës së kishës", ka thënë ai.

Sipas tij, rasti i Manastirit të Deçanit nuk ka të bëjë me përkatësinë etnike, politikën apo fenë, por ka të bëjë me të drejtat pronësore dhe respektin për ligjin. /Zëri