Këshilltari i Osmanit e quan të neveritshëm aksionin e PSD-së
Foto: Laura Hasani

Këshilltari i Osmanit e quan të neveritshëm aksionin e PSD-së

Aktuale January 26, 2021 - 14:42

Nga Zyra e presidentes kanë reaguar pas aksionit simbolik të Partisë Socialdemokrate.

Këshilltari i Vjosa Osmanit, Faton Peci, ka thënë se reagimi i PSD-së ndaj presidentes ngjall neveri, ndërsa ia ka kujtuar PSD-së se është subjekt politik, që nuk e ka kaluar as pragun për të hyrë në Kuvend, transmeton “Zeri.info”.

“Reagimi i PSD-së ndaj presidentes Osmani ngjall neveri. Një subjekt që nuk e ka kapë as pragun e pragut merr përsipër detyrë të zorshme në përpjekje për të aktruar opozitën. Përpara se të bëni veprime, verifikoni faktet. Presidentja nuk përdor fare veturë të Presidencës”, ka shkruar Peci në reagimin e tij.

Peci ka thënë se PSD-ja nuk ka as guxim të marrë pjesë në zgjedhje.

“Rrjedhimisht, ky mllef juaji ka të bëjë më shumë me defaktorizimin tuaj si një subjekt, të cilit i ka mbet veç akronimi dhe nuk ka guxim as të marrin pjesë në zgjedhje. Sigurisht, shpifja e juaj është nxitur edhe nga sondazhet e fundit, me të cilat Vetëvendosja dhe Lista Vjosa, me një listë të përbashkët, do ta marrin shumicën në zgjedhjet e 14 shkurtit”, ka shkruar ai.

Ai më tej ka ftuar PSD-në të mbajnë aksione, pasi sipas tij është e vetmja mundësi e tyre për të dalë në publik.

“Prandaj, të dëshpëruar socialdemokratë (PSD), ndërkaq karvani i fitores ecën, ju mund ta vazhdoni aktivitetin tuaj dhe të vendosni bilboarde gjithandej, sepse është e vetmja mundësi juaja që të dilni në publik!”, ka thënë këshilltari i presidentes në detyrë.

Sot PSD-ja ka mbajtur një aksion simbolik, ku e kanë emëruar Zyrën e presidentes si “nëndegë të Vetëvendosjes”, duke e akuzuar Osmanin se është në shërbim të politikes dhe jo në detyrën e saj që ia obligon Kushtetuta. /Zëri