Haradinaj e përmend referendumin për bashkimin me Shqipërinë: Nuk mund të presim pafundësisht për të hyrë në NATO

Haradinaj e përmend referendumin për bashkimin me Shqipërinë: Nuk mund të presim pafundësisht për të hyrë në NATO

Aktuale January 26, 2021 - 14:37

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se zgjedhjet e 14 shkurtit po i konsideron referendum për anëtarësim në NATO, i cili sipas tij duhet të ndodhë deri në vitin 2024.

Në të kundërtën, pretenduesi për president të vendit tha se zgjidhja e vetme mbetet bashkimi me Shqipërinë.

“Më 14 shkurt në një mënyrë është referendumi për NATO. Kujt i konvenon Kosova në NATO, ju e dini, popullit të Kosovës, rajonit, por edhe NATO-s dhe aleatëve tanë të sigurisë. Kush është kundër, dihet që është Rusia, Serbia dhe aleatët e tyre”, tha ai.

Lideri i AAK-së tha se paralajmërimet për bashkim me Shqipërinë nuk i befasojnë as aleatët e Kosovës.

“Neve po na harxhohet koha e pritjes pa kufi për t’u bërë anëtar i NATO-s si Kosovë, ose si shtet i pavarur ashtu siç jemi nisur. Në këtë rast Kosovës i mbetet vetëm një rrugë, s’ka rrugë tjetër, është bashkimi me Shqipërinë, që është diçka e natyrshme, e cila po vjen. Edhe aleatët e Kosovës të gjithë e kuptojnë se Kosova u dha atyre kohë, ua dha 25 vjet, se kemi thënë deri në vitin 2024 nuk jemi në dyer të NATO-s, atëherë nuk na mbetet tjetër pos me u marrë vesh për me hy të bashkuar. Unë besoj se edhe aleatët tanë e vlerësojnë kohën që ia kemi dhënë opsionit për me hy në NATO si Kosovë e pavarur. Prandaj jam i bindur që do të na jepnin leje dhe përkrahje për bashkim me Shqipërinë. Pra ky është një opsion real që mund të ndodhë”, tha ai.

Këto komente Haradinaj i bëri gjatë ditës së sotme, pas takimit me kategoritë e dala nga lufta në Deçan. /gazetablic