Varhelyi thekson nevojën për sigurimin e shpejtë të vaksinës anti-COVID për Ballkanin Perëndimor

Varhelyi thekson nevojën për sigurimin e shpejtë të vaksinës anti-COVID për Ballkanin Perëndimor

Aktuale January 25, 2021 - 12:22

Komisionari evropian për zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka thënë se BE-ja i qëndron pranë Ballkanit Perëndimor në luftën kundër COVID-it.

Përmes një postimi në “Twitter”, ai thotë se është një nevojë thelbësore për sigurimin e shpejtë të vaksinave për këtë rajon.

“Në Këshillin Evropian sot duke përfaqësuar Komisionin Evropian. Në luftën kundër COVID-19 BE-ja u qëndron pranë partnerëve të saj në Ballkanin Perëndimor dhe në rajon. Theksoj nevojën për të siguruar qasje të shpejtë në vaksinat në rajonet e Ballkanit Perëndimor”, shkroi Varhelyi, raporton “Zeri.info”.

Ai shprehu edhe shqetësimet e institucioneve të BE-së mbi zhvillimet në lidhje me çështjen “Navalnyi”, kryeopozitarit rus të arrestuar në Moskë.

Edhe më herët Varhelyi ka folur për nevojën e sjelljes së vaksinave në rajonin e Ballkanit Perëndimor nga BE-ja.

“Për të siguruar front të bashkuar për të mposhtur COVID-19 dhe qasjen e hershme në vaksina, Komisioni Evropian do të ngrejë mekanizëm për të strukturuar sigurimin e vaksinave të ndara nga shtetet anëtare, me vëmendje të veçantë për Ballkanin Perëndimor dhe fqinjët. Do të hulumtohen mundësi të mëtejshme për të siguruar vaksinat herët”, kishte shkruar ai javën e kaluar.

Kujtojmë se Kosova deri më tani nuk ka pranuar asnjë dozë të vaksinave anti-COVID, ndonëse ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se qeveria ka siguruar mbi 1.2 milion doza.

Shqipëria ndërkaq, sikurse edhe Serbia, kanë pranuar nga një sasi të vogël vaksinash, duke filluar vaksinimin kryesisht ndaj personave të moshuar dhe të stafit mjekësor. /Zëri