Reshjet e shiut lënë pa ujë disa zona që furnizohen nga KRU “Prishtina”

Reshjet e shiut lënë pa ujë disa zona që furnizohen nga KRU “Prishtina”

Aktuale January 25, 2021 - 10:54

Për shkak të reshjeve të shiut ditëve të fundit pritet të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm.

Konsumatorët e Obiliqit, të Fushë-Kosovës, të Drenasit dhe lagjja “Kalabria” në Prishtinë nuk do të furnizohen me ujë të pijshëm sot në mesditë dhe gjatë natës.

Njoftohet se kjo ndërprerje vjen pas rritjes së turbullirës deri në nivelin që pamundëson trajtimin e ujit për pije.

Këtë e ka bërë të ditur kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” përmes një komunikate për medie.

“Si pasojë e reshjeve të shiut ditët e fundit janë rritur rrjedhjet sipërfaqësore në zonat fushore dhe pastaj të njëjtat kanë përfunduar sërish te kanali i Ibër Lepencit, kanal prej të cilit merret uji i papërpunuar për t’u trajtuar pastaj për pije (ITUP Shkabaj). Si shkak i kësaj kemi rritje të turbullirës në atë nivel që bën të pamundur trajtimin e ujit për pije në përputhje me standardet dhe teknologjinë që posedojmë.

Me qëllim që të ruajmë kualitetin e ujit për pije, t’i ruajmë pajisjet teknologjike, jemi të detyruar të zvogëlojmë në minimum prodhimin e ujit nga ky impiant, me ç’rast jemi detyruar të ndërpresim furnizimin me ujë të pijshëm për konsumatorët e zonave: Obiliq, Fushë-Kosovë, Drenas dhe lagjja ‘Kalabria’ në Prishtinë.

Si pasojë e ndërprerjes së punës në ITUP Shkabaj, edhe disa zona tjera në Prishtinë do të kenë reduktime në periudhën e mesditës dhe gjatë natës, më konkretisht ata të cilët furnizohen me ujë nga sistemi i Badocit, si dhe nga Kodra, për shkak të alternativave teknike për furnizim të zonave më të ndikuara nga kjo turbullirë. Në momentin që kushtet lejojnë që uji të trajtohet dhe të garantohet cilësia e duhur pas trajtimit ne do ta rikthejmë gjendjen normale me trajtim dhe furnizim”, thuhet në komunikatë. /Zëri