Gjykata e obligon Komunën e Prishtinës që punëtores së QKMF-së t’ia kompensojë 6 paga

Gjykata e obligon Komunën e Prishtinës që punëtores së QKMF-së t’ia kompensojë 6 paga

Aktuale January 25, 2021 - 10:16

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar padinë e ish-asistentes së stomatologjisë, Sheqere Bajraktari, e cila ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që t’ia kompensojë tri pagat përcjellëse dhe tri pagat jubilare me rastin e pensionimit, në shumën e përgjithshme prej 2.610.60 eurove.

Me padinë e ushtruar në janar të vitit 2019 paditësja Bajraktari ka kërkuar shpërblimin e pagave jubilare dhe të pagave përcjellëse, të cilat ka pretenduar se i takojnë me rastin e pensionimit, në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, konkretisht Nenit 52 dhe 53 të kësaj kontrate, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me aktgjykimin e 9 dhjetorit 2020, i siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se aprovohet në tërësi si e bazuar kërkesëpadia e paditëses Bajraktari për kompensimin e tri pagave përcjellëse dhe tri pagave jubilare, në shumën e përgjithshme prej 2.610.60 eurove, me kamatë ligjore prej 8%.

Gjithashtu, e paditura është detyruar që paditëses t’ia kompensojë edhe shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën e përgjithshme prej 259 eurove, të gjitha këto në afat prej shtatë ditësh, nga dita e marrjes së aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit të detyrueshëm.

Gjykata këtë vendim e ka mbështetur në Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës, e miratuar dhe e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës, dispozitat e së cilës aplikohen në tërë territorin e Kosovës, ku sipas dispozitës së Nenit 52 është paraparë shpërblimi jubilar, ndërsa me Nenin 53 është paraparë kompensimi i tri pagave përcjellëse në pension.

Në këtë aktgjykim thuhet se paditësja ka pasur përvojë pune mbi tridhjetë vjet, andaj i takon e drejta e shpërblimit jubilar dhe tri pagat përcjellëse pas pensionimit.

Ndryshe, lidhur me këtë rast në seancën e shqyrtimit kryesor, që ishte mbajtur më 9 dhjetor 2020, ishte dhënë fjala përfundimtare.

Avokatja Valmira Ahmeti kishte thënë se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë së precizuar, duke konsideruar se paditësja ka plotësuar kushtet ligjore për shpërblimin e pagave jubilare dhe të pagave përcjellëse.

Po ashtu ajo i kishte propozuar Gjykatës që ta aprovojë në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e paditëses si të bazuar.

Ndërsa, për të paditurën nuk kishte prezantuar askush, për të cilën gjykatësi Rogova kishte thënë se e njëjta e ka pranuar procesverbalin e datës 8 tetor 2020, së bashku me padinë dhe ftesën për këtë seancë, por mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Për këtë rast fillimisht ka qenë e paditur Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, mirëpo në seancën e mbajtur më 8 tetor 2020 përfaqësuesi i paditëses, avokati Arlind Jupolli, ka bërë precizimin e padisë në kuptimin subjektiv, me arsyetimin që e paditura QKMF-ja nuk ka subjektivitet të pavarur, e ku sipas tij e paditur tani e tutje duhet të jetë Komuna e Prishtinës.

Sipas padisë së ushtruar më 16 janar 2019, paditësja Sheqere Bajraktari ka qenë në marrëdhënie pune tek e paditura, QKMF-ja në Prishtinë, në pozitën e asistentes së stomatologjisë, ku më 5 dhjetor 2017 është pensionuar sipas fuqisë ligjore.

Në padi thuhet se paditëses pas pensionimit nuk i është bërë kompensimi i tri pagave jubilare dhe tri pagave përcjellëse në përputhje me dispozitat e Kontratës së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, si dhe të dispozitave të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, konkretisht Nenit 52 dhe 53 të kësaj kontrate.

Mbi këtë bazë, ajo po kërkon nga Gjykata që të obligohet Komuna e Prishtinës që asaj t’ia bëjë kompensimin e tri pagave përcjellëse dhe tri pagave jubilare. /BetimipërDrejtësi