Pacientët në Kosovë shfaqin probleme me kujtesë pas tejkalimit të COVID-19

Pacientët në Kosovë shfaqin probleme me kujtesë pas tejkalimit të COVID-19

Aktuale January 24, 2021 - 09:12

Kaltrina Jupolli-Sejdiu, 30-vjeçare nga Prishtina deri para muajit nëntor të vitit të kaluar, nuk ka pasur asnjë problem me kujtesën. Por, prej kur është shëruar nga sëmundja COVID-19, humbja e kujtesës i është bërë pjesë e përditshmërisë.

“Harresën e kam aty për aty, nuk më ka ndodhur më herët që dikush të më dhuroj diçka e ta harroj menjëherë, e kjo po më ndodh aq shpesh. Po e vërej sepse unë me kujtesë kam qenë shumë mirë”, thotë ajo.

Ajo ishte infektuar me koronavirus para tre muajsh, por shqetësimet me kujtesë i janë paraqitur pasi e ka tejkaluar sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Shqetësime me humbje të kujtesës ka edhe F.S, që ishte infektuar me koronavirus para tre muajsh.

“Probleme me harresën kam pasur pas një muaj pasi e kam përfunduar virusin dhe shpesh më ndodh brenda dy-tri orëve harroj se çfarë ka ndodhur”, tregon për Radion Evropa e Lirë, F.S.

Që disa persona po hasin në probleme lidhur me kujtesën pasi kalojnë COVID-19, e konfirmon edhe neurologu, njëherësh asistent-profesor në Universitetin e Prishtinës, Blerim Myftiu. Sipas tij, rastet që më së shumti kanë probleme të tilla janë ato raste që nuk e kanë kaluar lehtë këtë virus, pra të tillët që u është dashur të qëndrojnë në spital.

Myftiu potencon dy probleme kryesore që shfaqen te personat që tashmë e kanë kaluar COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

“Njëra prej tyre është dhimbja e kokës, e cila mund të shfaqet më shpesh te njerëzit të cilët para COVID-it ose para vuajtjes, nuk kanë pasur migrenë ose ndonjë formë tjetër të dhimbjes primare. Si dhe një formë tjetër jo edhe aq primare sa dhimbja e kokës është edhe problemi me mbamendje, kujtesë, rifreskim të informatave paraprake, koncentrim, fokusim, punë të caktuara në aktivitetet e përditshme ditore që i kanë pasur paraprakisht”, thotë Myftiu.

Ai potencon që ende nuk dihet saktë se pse ndodhin problemet me kujtesë te disa persona, por sipas tij, mundësitë mund të jenë për shkak të depërtimit të virusit në tru, dëmtimit të arterieve të vogla të gjakut si dhe mungesës së oksigjenit në tru.

Myftiu tregon se kur duhet të shqetësohen personat që kanë humbje të kujtesës.

“Një harresë, e cila fillon me harresën e çelësave ose takimit në janar të vitit 2021 dhe nëse kjo harresë progreson në janar të vitit 2021 që ‘nuk mund ta gjejë veturën në parking ku e kam lënë, ose po sillem 30 minuta nga puna në shtëpi në një rrugë që bëhet për pesë minuta dhe jo për faj të komunikacionit’, atëherë kjo tregon që harresa e këtij personi po përparon në një harresë funksionale, pra që po ndikon në përditshmëri”, thekon Myftiu.

Që efektet e COVID-19 janë afatgjata e konfirmon edhe mikrobiologu, Lul Raka. Ai tregon që te disa persona ky virus shkakton simptoma që mund të zgjasin deri në 12 javë pas infeksionit. Një dukuri e tillë sipas Rakës njihet me termin ‘Sindroma post-COVID' apo ‘COVID-i i gjatë’. Sipas tij, ndonëse në fillim është menduar që këto simptoma paraqiten vetëm te pacientët që e kalojnë me vështirësi COVID-19, tani hulumtimet e thonë që këto shqetësime shëndetësore paraqiten edhe te të rinjtë.

“Simptomat më të shpeshta te këta persona janë të ndryshme dhe përfshijnë: lodhje, rraskapitje, frymëzëni, rrahje të shpejta të zemrës pas një ngarkese minimale, dhimbje gjoksi, pezmatim të muskulit të zemrës apo mbështjellësit të tij, ndryshime lëkurore, çrregullime të gjumit, rënie e flokëve, kokëdhimbje, harresë apo pamundësi e koncentrimit, depresion, ethe që përsëriten, ngjirje e zërit, dhimbje të kyçeve, dhimbje veshi dhe barkqitje”, thotë Raka.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KETU