Hoti pas marrëveshjes me SBASHK-un: Rrogë të 13-të për mësimdhënësit parauniversitarë

Hoti pas marrëveshjes me SBASHK-un: Rrogë të 13-të për mësimdhënësit parauniversitarë

Aktuale January 22, 2021 - 09:28

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka mbajtur sot një konferencë të përbashkët me ministrin e Arsimit Ramë Likajn dhe me kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jasharajn.

Gjatë kësaj konference Hoti bëri të ditur se së bashku me kontratën kolektive janë saktësuar të gjitha kërkesat dhe janë dakorduar që të paguhet paga e 13-të dhe pagesa e shujtës.

"Jemi dakorduar që të paguhet paga e 13-të për të punësuarit parauniversitarë duke filluar nga viti 2023, kemi saktësuar gjithashtu pagesën e ushqimit, të shujtës ditore për mësimdhënës, kemi saktësuar shpenzimet e transportit dhe gjithashtu kemi saktësuar shpenzimet e transportit".

Hoti po ashtu bëri të ditur se kjo kontratë do të nënshkruhet sot.

Më tej Hoti tha se ky është një moment i mirë për fushën e arsimit, pasi për vitet e ardhshme do të rregullohet komplet mënyra e funksionimit të arsimit.

"Ky është një moment i mirë për fushën e arsimit, që rregullon për vitet e ardhshme komplet mënyrën e funksionimit të arsimit. Jam i kënaqur që kemi arritur t'i adresojmë të gjitha që janë parë me interes edhe nga Ministria e Arsimit, edhe nga SBASHK-u", ka thënë ai.

Ndërsa ministri i Arsimit Ramë Likaj theksoi se në qoftë se dëshirojmë rezultate të mira, atëherë edhe mësimdhënësit e meritojnë një pagë të tillë.

"Natyrisht se për pagën e 13-të është e lidhur shumë ngushtë performanca e sistemit arsimor dhe në qoftë se me të vërtetë dëshirojmë rezultate më të mira, atëherë edhe mësimdhënësit, edhe të gjithë të angazhuarit e meritojnë një pagë të tillë", tha Likaj.

Kurse kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj tha se është hera e parë që SBASHK-u ka një bashkëpunim kaq të mirë me Ministrinë e Arsimit.

"Është nga herët e para kur SBASHK-u ka një bashkëpunim kaq korrekt, kaq të mirë me MASH-in dhe respektin për këtë e meriton ministri Likaj, zëvendësministri Rexhaj dhe gjithë kabineti i tyre", tha Jasharaj.

"Nga e hëna do ta kemi një frymë të re në arsimin e Kosovës dhe obligohemi që të punojmë sa më shumë për ngritjen e cilësisë", tha Jasharaj. /Zëri