Papunësia, korrupsioni dhe emigracioni – shqetësimet kryesore të shqiptarëve
Foto: Ilustrim

Papunësia, korrupsioni dhe emigracioni – shqetësimet kryesore të shqiptarëve

Aktuale January 21, 2021 - 21:47

Papunësia, Korrupsioni dhe emigracioni janë 3 problemet më kryesore të shqiptarëve nga të dhënat e sondazhit të Euronews Albania të kryer në bashkëpunim me kompaninë prestigjoze MRB.

Papunësia zë 61.6% të përgjigjeve të shqiptarëve si shqetësimi kryesor, pasuar nga korrupsioni 38.6%, ndërsa emigracioni është gjithashtu mes kryesorëve në masën 30.8%.

Këto tre shqetësime ndiqen nga shqetësimi për standardin e jetesës, gjendjen ekonomike, mungesën e rritjes ekonomike, menaxhimin e situatës së Covid-19, taksat, sistemi i pensioneve si dhe inflacioni.   

Metodologjia

3 muaj përpara zgjedhjeve, 1600 shqiptarë janë përgjigjur ballë për ballë në një intervistim në shtëpitë e tyre dhe 2000 të tjerë në mënyrë telefonik, se cilat janë shqetësimet e tyre, si e vlerësojnë ata ekonominë, punën e qeverisë apo të opozitës dhe sa vota do të marrin partitë politike, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë javë. Janë 5 sondazhe në total që do të zhvillohen periodikisht deri në ditën e zgjedhjeve.

Studimi u shtri në 12 zona elektorale, periudha e intervistave ishte 22 dhjetor 2020 -13 janar 2021 ku metodologjia e kampionimit ishte shtresëzim me shumë faza/kampione të rastësishëm. Persona me të drejtë vote, të ndarë në mënyrë të barabartë sipas gjinisë u janë përgjigjur 43 pyetjeve.

Qëllimi i sondazhit është hulumtimi i mendimeve dhe qëndrimeve të qytetarëve shqiptarë për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Rezultatet e para u prezantuan në emisionin Barometri Politik nën moderimin e gazetares Ilva Tare, ku qenë të pranishëm një panel prej 6 analistësh, si dhe drejtori i kompanisë MRB, z. Dimitri Mavros./EURONEWS