Kërkesa për shtesa në paga vijnë edhe nga Shoqata e Transportit rrugor të Udhëtarëve

Kërkesa për shtesa në paga vijnë edhe nga Shoqata e Transportit rrugor të Udhëtarëve

Aktuale January 21, 2021 - 19:43

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka mbajtur sot një mbledhje, me ç'rast ka paralajmëruar edhe grevë, raporton Zeri.info.

Lajmin e ka bërë të ditur në "Facebook", kryetari i kësaj shoqate, Ruzhdi Kurtishaj.

Ai theksoi se nëse nuk ndahen mjete nga pakoja e rimëkëmbjes ekonomike, ashtu siç u ka premtuar kryeminstri Avdullah Hoti, atëherë greva do të jetë e pashmangshme.

"Këshilli drejtues i shoqates edhe njherë kerkon, që urgjentisht të mbështet sektorin e transportit rrugor të udhëtarve duke ndarë mjete nga pakoja e rimekembjes ekonomike siç ka premtuar Kryeministri në takimin e datës 28 korrik 2020 në të kundërten greva e gjithë sektorit të transportit ështe e pashmangshme", ka shkruar Kurtishaj në "Facebook".

Gjatë ditës së djeshme, Qeveria ka njoftuar se do të ndajë paga shtesë për punëtorët e arsimit.

Të pakënaqur nga ky vendim, kanë reaguar Sindikata e Shërbyesve Civilë të Komunës së Mitrovicës, Sindikata e Zjarrfikësve e edhe Sindikata e Infermierëve të Kosovës, të cilët kanë paralajmëruar se do të mbajnë edhe greva.

Ndërsa sot, Qeveria ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve financiare për bizneset sipas kritereve të përcaktuara me Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike, në vlerë prej 6.5 milionë eurove për subvencionimin e bizneseve aktive dhe të të vetëpunësuarve.

Po ashtu, 8 milionë euro janë ndarë edhe për punëtorët shëndetësorë dhe policët. /Zëri