Hoti uron Bidenin, falënderon edhe ish-presidentin Trump
Foto:Reuters

Hoti uron Bidenin, falënderon edhe ish-presidentin Trump

Aktuale January 21, 2021 - 12:38

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, i ka dërguar telegram urimi Presidentit të SHBA-së, Joe Biden, pas betimit të tij si presidenti i 46-të i vendit.

“Jam shumë i lumtur të theksoj se Republika e Kosovës ka marrëdhënie shumë të veçanta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në historinë e fundit të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol vendimtar”, thuhet midis tjerash në telegram.

Hoti e ka siguruar presidentin Biden, se Qeveria e Kosovës, të gjitha partitë e saj politike, pozita dhe opozita, janë plotësisht të përkushtuara për të kultivuar dhe forcuar marrëdhëniet me SHBA-në.

“Unë jam i përkushtuar të punoj me administratën tuaj për të forcuar institucionet demokratike, integrimin Euro - Atlantik dhe për t'u bërë një bartës i stabilitetit”, thuhet në letër.

Hoti, me këtë rast, ka shprehur falënderimet dhe mirënjohjet për ish-presidentin Donald Trump dhe administratën e tij për mbështetjen e dhënë për proceset demokratike në Kosovë, dhe integrimet ekonomike rajonale. /Zëri