Sveçla: Daka po mendon se është viti 2020 dhe president është ende Thaçi
Foto:Laura Hasani

Sveçla: Daka po mendon se është viti 2020 dhe president është ende Thaçi

Aktuale January 21, 2021 - 12:31

Ish-ministri i Punëve të Brendshme nga radhët e LVV-së, Xhelal Sveçla, ka reaguar ndaj kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, duke thënë se ajo po e keqpërdor pozitën e saj, raporton “Zeri.info”.

Sipas Sveçlës, Daka ka mbetur në vitin 2020 kur “ish-presidenti Thaçi i dërgonte letra Albin Kurtit dhe bënte darka pune me ish-ambasadorin Grenell”.

“Valdete Daka e ka moshën 60 vjeç, mirëpo ajo është një vit e vjetër. Po mendon që ndodhet në janarin 2020, kur ish-presidenti Thaçi i dërgonte letra Albin Kurtit dhe bënte darkë pune me ish-ambasadorin Grenell. Dhe ndihet e frikësuar mandej. Mirëpo ajo duhet të update-ohet, ta marrë kalendarin e ri: njëmend është muaji janar, por viti është 2021 e jo 2020”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Sveçla tha se Kosova tashmë ka presidente të re Vjosa Osmanin dhe së shpejti kryeministër Albin Kurtin.

“Kosova tash ka presidente të re, znj. Vjosa Osmani dhe së shpejti kryeministër të ri, z. Albin Kurti. E kuptojmë që znj. Daka nuk do ta votojë listën Vetëvendosje - Vjosa me 14 shkurt, por ajo nuk bën që preferencën e saj personale ta keqpërdorë si kryetare e KQZ-së”, ka thënë Sveçla.

Gjatë ditës së djeshme KQZ-ja njoftoi se 47 kandidatë për deputetë janë identifikuar se janë shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tre vjetët e fundit.

Për emrin e këtyre kandidatëve KQZ-ja ka thënë se u mbetet partive që t’i bëjnë publike. Deri më tani janë publikuar disa nga këta emra, ndër të cilët është edhe Albin Kurti.

Po dje përfaqësues të LVV-së reaguan ashpër ndaj këtij vendimi, duke e akuzuar direkt kryetaren e KQZ-së Valdete Dakën.

E Daka në një konferencë të sotme për media denoncoi këto “kërcënime e akuza” në drejtim të saj dhe të familjes së saj. /Zëri