Bulliqi për Rugovën: Udhëheqës i projektit për lirinë, pavarësinë e demokracinë e vendit
Foto:Laura Hasani

Bulliqi për Rugovën: Udhëheqës i projektit për lirinë, pavarësinë e demokracinë e vendit

Aktuale January 21, 2021 - 11:37

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, e ka kujtuar me konsideratën më të lartë ish-presidentin e vendit Ibrahim Rugovën në 15-vjetorin e vdekjes.

Bulliqi Rugovën e quajti udhëheqës të projektit për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

“Në 15-vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova, rikujtojmë me konsideratën më të lartë udhëheqësin e projektit për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Ibrahim Rugova ka qenë dhe do të mbetet shembulli i udhëheqësit që promovonte dijen, urtësinë, vendosmërinë dhe gjithëpërfshirjen, vlera këto që po mundohemi t'i mbajmë gjithnjë e më të pranishme në jetën tonë politike e institucionale”, shkruan Bulliqi në “Facebook”.

Ai thotë tutje se duhet mbajtur parasysh edhe vlerën e pazëvendësueshme të rezistencës paqësore e politike, si dhe asaj aktive e të armatosur në rrugën e gjatë të arritjes së lirisë së popullit tonë.

“Trashëgimia e tillë na obligon të punojmë pa u ndalur në jetësimin, tashmë në kushtet e reja, të të gjithave objektivat zhvillimore, drejt një shoqërie të lirë, demokratike e me zhvillim të qëndrueshëm”, u shpreh Bulliqi. /Zëri