Mustafa përkujton Rugovën: Politikan i urtë dhe mendimtar i thellë
Foto: Laura Hasani

Mustafa përkujton Rugovën: Politikan i urtë dhe mendimtar i thellë

Aktuale January 21, 2021 - 09:31

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova në 15-vjetorin e vdekjes.

Përmes fjalëve të përkujtimit Mustafa thotë se Rugova ishte politikan i urtë dhe mendimtar i thellë.

“Në janarin e acartë të vitit 2006 iku në amshim shkrimtari, studiuesi i letërsisë, lideri dhe presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova. Intelektuali, politikani i urtë dhe mendimtari i thellë me mençuri dhe guxim kishte projektuar qartë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai ndërtoi themelet e shtetit tonë mbi parimet: Liri, Pavarësi dhe Demokraci. Sot kujtojmë themeluesin e LDK-së dhe kryetarin e saj të pavdekshëm, dr. Ibrahim Rugova. Pesha historike e Rugovës është e rëndësisë më të veçantë, ngase ai do të mbetet lideri historik që e ndërkombëtarizoi, si dhe e bindi botën demokratike të çlirohet Kosova nga okupimi serb, të themelohet shteti dhe të shpallet pavarësia”, thotë mes të tjerash Mustafa.

Mustafa thotë tutje se LDK-ja do të punojë me përkushtim në zhvillim të vendit, pasi ky ishte vizion i Rugovës.

“LDK-ja në vazhdimësi ka shprehur zotimin e saj se do të punojë me përkushtim për zhvillimin e vendit, vizion ky i presidentit historik dr. Ibrahim Rugova. Testamenti politik i Rugovës ishte ruajtja dhe kultivimi i raporteve me vendet mike dhe përkrahëse të Kosovës, në veçanti, siç e thoshte presidentit shumë herë: miqësi e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë ai.

Derisa thekson se: “Këtë miqësi LDK-ja do të vazhdojë ta ruajë dhe ta kultivojë më tutje, sepse nuk kemi alternativë tjetër”. /Zëri