Kurti e Osmani homazhe te varri i Rugovës, kreu i LVV-së flet edhe për vendimin e KQZ-së

Kurti e Osmani homazhe te varri i Rugovës, kreu i LVV-së flet edhe për vendimin e KQZ-së

Aktuale January 21, 2021 - 09:31

U.d. e presidentes Vjosa Osmani dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti kanë bërë homazhe te varri i presidentit historik Ibrahim Rugova me rastin e 15-vjetorit të vdekjes së tij.

Osmani para mediave ka folur për presidentin Rugova, duke thënë se ai i bëri bashkë shqiptarët rreth idesë dhe kauzës për liri dhe pavarësi, raporton “Zeri.info”.

“Jemi këtu për ta nderuar kujtimin e presidentit historik, njeriut që i bëri bashkë shqiptarët rreth idesë dhe kauzës së lirisë dhe pavarësisë, i përjetshëm qoftë kujtimi për të. Rruga që ai ndërtoi përgjithmonë do të mbesë si udhërrëfyes për ne”, tha ajo.

Po ashtu edhe kreu i LVV-së, Albin Kurti, pas homazheve ka folur për presidentin historik Rugova e për të cilin tha: “Erdhëm që të vendosim një kurorë me lule të freskëta te varri i tij. Presidentit të parë të Kosovës pas çlirimit të vendit tonë, duke kujtuar insistimin e tij politik, përkushtimin e tij institucional, qetësinë dhe durimin njerëzor".

Ndërkaq, Kurti foli edhe për vendimin e KQZ-së që ai të mos jetë kandidat për deputet, teksa tha se është bartës i listës, i cili respekton dhe përfill Kushtetutën.

“Ne kemi dorëzuar listën tonë ashtu siç është kërkuar dhe ajo është lista jonë. Para një viti pati qenë në Kosovë ish-ambasadori Grenell për një darkë me ish-presidentin, por ai është vit i kaluar. Mendoj që institucionet e shtetit duhet të azhurnohen në rrethana të reja, ku jemi në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Unë jam bartës i listës, i cili respekton dhe përfill Kushtetutën dhe ligjet që mbrojnë të drejtat e gjithsecilit prej nesh”, tha ai. /Zëri