Reagojnë infermierët pasi Qeveria ndan paga shtesë për mësimdhënësit

Reagojnë infermierët pasi Qeveria ndan paga shtesë për mësimdhënësit

Aktuale January 20, 2021 - 16:11

Qeveria e Kosovës ka njoftuar sot se do të ndajë pagesa shtesë për punëtorët e arsimit, raporton Zeri.info.

E pas këtij vendimi, vargu i reagimeve sindikale nuk ka të ndalur.

Ishte fillimisht Sindikata e Shërbyesve Civilë të Komunës së Mitrovicës, pastaj Sindikata e Zjarrfikësve që dolën me kërkesa të njëjta.

Së fundmi, edhe Sindikata e Infermierëve të Kosovës reagoi, duke thënë se pavarësisht kërkesës së vazhdueshme nga ta që të kenë një takim me kryeministrin Avdullah Hoti, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Përmes një postimi në “Facebook”, kjo sindikatë theksoi se nuk mund të krahasohet puna e infermierëve në rrezik të vazhdueshëm me COVID-19 me atë të mësimdhënësve.

“Sot kjo qeveri që ankohej për mungesë buxheti, premton që rreth 32 mijë mësimdhënësve të ju ndahen shtesë prej 100 euro në muaj. Në parim ne jemi që të gjithë të përfitojnë, por nuk mundet të krahasohet puna e infermierëve në rrezik të vazhdueshëm me covid19 dhe mësimdhënësve që shumicën e kohës qëndruan në shtëpi”, thuhet në postimin e Sindikatës.

Postimi i plotë:

REAGIM

Sindikata e Infermierëve të Kosovës, ka bërë tre takime gjatë vitit 2020 me Ministrin e Shëndetësisë dhe kemi tentuar ta bëjmë një takim me kryeministrin, të cilin nuk e kemi bërë kurrë, pavarësisht kërkesës së vazhdueshme nga Sindikata e Infermierëve që ky takim të ndodhë. Kemi bërë poashtu 3 protesta me qëllimin e vetëm, ngritja e pagesave të ndrrimeve të natës, pra për 12 orë punë gjatë natës një infermier paguhet vetëm 18 euro, ndërsa ne kemi kërkuar që kjo 18 euro të bëhet 36 euro dhe se buxhetit të Shtetit do të i kushtonte vetëm 2.7 milion euro në vit për të gjithë infermierët e Kosovës. Pra ne kemi pasur shumë kërkesa, por për shkak të krizës me pandeminë, ne ju kemi dhënë përparësi pagesave për punën gjatë ndrrimeve të natës, që janë tepër nënqmuese për ne.

Ne kemi reaguar edhe për pagesën(shtesën) mizerie prej 150 euro në muaj, krahasuar me 250 të atyre që punojnë në të njejtin vend të punës.

Sot kjo qeveri që ankohej për mungesë buxheti, premton që rreth 32 mij mësimdhenësve të ju ndahen shtesë prej 100 euro në muaj. Në parim ne jemi që të gjithë të përfitojnë, por nuk mundet të krahasohet puna e infermierëve në rrezik të vazhdueshëm me covid19 dhe mësimdhënësve që shumicën e kohës qëndruan në shtëpi.

Mbi 1500 infermier të infektuar me covid19, shumica nga ta me simptoma shumë të rënda, 8 infermier të vdekur dhe dhjetra familjare të infermierëve të vdekur.