Lista Serbe sfidohet vetëm nga dy nisma qytetare

Lista Serbe sfidohet vetëm nga dy nisma qytetare

Aktuale January 19, 2021 - 20:20

Janë vetëm tri subjekte politike nga komuniteti serb, të cilat kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, që do të mbahen më 14 shkurt. Lista Serbe ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve aplikacionin me një listë prej 20 kandidatësh, Nisma Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë me tre kandidatë dhe Nisma Qytetare, Lidhja Demokratike Serbe, me pesë kandidatë.

Lista Serbe, që konsiderohet favorite në mesin e komunitetit serb, do të sfidohet nga Nisma Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e udhëhequr nga Milan Dabiq nga Graçanica. Kjo nismë mbështetet publikisht nga Partia Demokratike Progresive (PDS) e Nenad Rashiqit, i cili vetë nuk do të jetë pjesë e garës.

Përveç Dabiqit, në këtë subjekt janë edhe dy kandidatë të tjerë, përkatësisht, politikanja veterane Rada Trajkoviq dhe Cvetko Velkoviq, i cili, në të kaluarën, kishte udhëhequr Zyrën për komunitete në Qeverinë e Albin Kurtit.

Lideri i PDS-së, Nenad Rashiq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, e arsyetoi moskandimimin e tij, me atë që ai e quajti, nevojë për t’iu dhënë të rinjve më shumë hapësirë.

“Ka të rinj që mund të bëjnë shumë”, tha Rashiq.

“Të rinjtë zakonisht qëndrojnë mënjanë sepse nuk duan të bëhen pjesë e fushatave të ndyra që zhvillohen sa herë që kemi aktivitete parazgjedhore, ku zakonisht kemi etiketime të rënda, madje edhe fyerje për ata që nuk janë në anën e Listës Serbe”, shtoi ai.

Si arsye tjetër, për moskandidim është edhe “çështja ligjore" që po zhvillohet kundër tij. Ai thotë se për këtë arsye, nuk dëshironte të "shkelte procesin e zgjedhjeve".

Rasti i Nenad Rashiqit ka të bëjë me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ku janë të përfshirë 19 persona, me dyshimet për abuzim të pozitës së tyre zyrtare gjatë privatizimit të ndërmarrjeve publike më 2013. Në atë kohë, Rashiq ishte ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës.

Rashiq beson se serbët e Kosovës mund të ndryshojnë diçka vetëm duke marrë pjesë në zgjedhje. Ai thotë se "njerëzit janë lodhur duke u manipuluar".

"Aktualisht, serbët nuk kanë përfaqësues adekuat në institucione dhe kjo po dëshmohet çdo ditë”, thotë Rashiq.

Iniciativa tjetër është Lidhja Demokratike Serbe që drejtohet Sllavisha Petkoviq. Ai vendosi që të angazhohet sërish në politikë, në mënyrë që serbët në Kosovë të kenë më shumë opsione votimi më 14 shkurt.

“Ne do të përpiqemi ta ndalojmë këtë shtypje nga ana e Listës Serbe”, u shpreh Petkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se nuk ka pritshmëri për garë të barabartë, duke u nisur nga fakti se “Lista Serbe ka logjistikën e Qeverisë së Serbisë”.

"Ne do të përpiqemi t’i bindim njerëzit, megjithëse nuk ka asgjë për t’i bindur, pasi njerëzit e dinë, por janë të frikësuar. Sinqerisht, shpresojmë se kësaj here Lista Serbe nuk do të ketë sukses në marrjen e të dhjetë mandateve”, thotë ai.

Petkoviq ishte ministri i parë për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës dhe udhëheqës i Partisë Demokratike Serbe, të cilën më vonë e mbylli.

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KËTU