Sërish kërcënon SBASHK-u
Foto ilustruese

Sërish kërcënon SBASHK-u

Aktuale January 17, 2021 - 14:37

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), ka uruar nxënësit dhe punëtorët e arsimit të shkollave të Kosovës për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë, i cili nis nesër.

Por, me rifillim të këtij gjysëmvjetori, kjo Sindikatë ka bërë një “kërcënim”, me të cilin institucionet e vendit përballen çdo fillimvit apo gjysmëvjetor shkollor – grevë për paga.

Kësaj radhe, SBASHK-u i bërë thirrje Qeverisë në detyrë “Hoti” që të reflektojë sa u përket kërkesave të tyre për shtesa në paga për mësimdhënës, në të kundërtën do të përballen me greva.

“SBASHK-u uron nxënësit dhe punëtorët e arsimit për fillimin më 18 janar të periudhës së dytë të mësimit në shkollat fillore e të mesme të Kosovës, por apelon te Qeveria Hoti dhe Ministri Likaj që javën e ardhshme të reflektojë dhe në takime me përfaqësues të SBASHK-ut të gjejnë zgjidhje për kërkesën e një shtese në paga për arsye të rrezikut nga COVID-19 dhe të nënshkruhet Kontrata e re Kolektive e Arsimit të Kosovës. SBASHK-u përkrah rifillimin e procesit mësimor më 18 janar, por kujton se nëse institucionet nuk reflektojnë, atëherë Kryesia edhe kryetari i SBASHK-ut kanë autorizimin e Këshillit Drejtues që të shpallin veprime sindikale, duke mos përjashtuar edhe grevën e përgjithshme në tërë sektorin e arsimit”, thotë kjo Sindikatë nëpërmjet një postimi në “Facebook”, raporton Zeri.info.

SBASHK-u kërkon që zgjidhja të gjendet përmes dialogut, por nëse një gjë e tillë dështon, atëherë thotë se përgjegjësinë dhe pasojat do t’i bartin institucionet.

“SBASHK-u po i jep hapësirë dialogut, por nëse pala tjetër nuk vepron njëjtë, atëherë përgjegjësinë për grevat dhe pasojat që sjellë ajo do t’i bartin institucionet”, përfundon reagimi i SBASHK-ut. /Zëri