Me 22 janar merret vendimi për Kurtin rreth kandidimit për kryeministër

Me 22 janar merret vendimi për Kurtin rreth kandidimit për kryeministër

Aktuale January 15, 2021 - 19:50

Qeveria e Avdullah Hotit u rrëzua nga vota e pavlefshme e një deputeti, Etem Arifi i cili ishte dënuar më parë me 1.3 vite burg për mashtrim me subvencionet.

Por vendimi i Gjykatës Kushtetuese pak javë më parë, jo vetëm që rrëzoi qeverinë Hoti, por duket se po vendos edhe fatin e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës.

Sipas Gjykatës Kushtetuese çdo person që në 3 vitet e fundit është dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë me një ose më shumë vite burgim, atëherë nuk lejohet që të kandidojë.

Kjo sipas të gjitha gjasave do të penalizojë Albin Kurtin, pasi ish-kryeministri së bashku me deputetë të tjerë, Donika Kadaj-Bujupin, Faton Topallin dhe Albulena Haxhiun u dënuan në 2018 për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Kurti u dënua me 1.6 vite në 2018 dhe me këtë gjykim nuk i lejohet kandidimi deri në shtator të 2021 duke e përjashtuar nga zgjedhjet e 14 shkurtit.

E ndërsa nga Vetëvendosja janë të qartë dhe të prerë për faktin që Kurti do të jetë në krye të listës për zgjedhjet e ardhshme, në 14 shkurt të këtij viti, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valdete Daka në një intervistë për emisionin “Ballkan” në “ABC” deklaroi se vendimi mbi fatin e ish-kryeministrit do të merret në datë 22 janar.

“Diku rreth datës 22 do të dalim me vendim dhe natyrisht është e mundur të apelohet në instanca të tjera. Vendimi do të merret në mënyrë kolegjiale” tha Daka.