Infektuar: 67906
Shëruar: 59174
Vdekur: 1587
 Ish-drejtori i Policisë Rashit Qalaj i bashkohet PDK-së

Ish-drejtori i Policisë Rashit Qalaj i bashkohet PDK-së

Aktuale January 14, 2021 - 13:10

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka bërë të ditur se ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, është anëtari më i ri që i është bashkuar PDK-së, raporton “Zeri.info”.

Lajmi u bë i ditur në një konferencë për media nga u.d. i kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj tha se ardhja e Qalajt është një hapje e re e madhe dhe e mirëfilltë për PDK-në, ku do të bëhet pjesë e programit dhe vizonit të rimëkëmbjes politike.

“Ardhja e tij është një hapje e madhe dhe e mirëfilltë e PDK-së. Qalaj do të jetë pjesë e programit për rimëkëmbje politike dhe për sigurinë”, ka thënë Hoxhaj.

"Z. Qalaj është një njeri që për 20 vjet ka shërbyer në Policinë e Kosovës dhe ka udhëhequr institucionin më kredibil që ka Kosova. Do ta ketë rolin kyç që ne ta vazhdojmë reformën në PDK. Ai ka qenë ushtar i UÇK-së dhe ka luftuar me pushkë në dorë”, ka thënë më tutje Hoxhaj.

Ndërsa Qalaj tha se e ka pasur të vështirë që të japë dorëheqje nga Policia.

"Nga sot do të jem anëtar i PDK-së, në këtë parti kam shumë shokë, shumë miq, që kanë kontribuar në etapa të ndryshme për çlirimin e vendit. E kam pasur të vështirë të jap dorëheqje nga Policia, ka qenë vendim emocional", ka thënë Qalaj.

Më tej Qalaj theksoi se arsyeja që ka vendosur që t'i hyjë politikës ka qenë degradimi brenda institucioneve të sigurisë.

"Kemi pasur shumë punë të përbashkët, gjithçka që kemi bërë konsideroj se ka qenë meritë e Policisë. Rrethanat ndryshuan, filloi një degradim enorm edhe i Policisë, edhe i AKI-së, duke parë që ky degradim nuk mund të ndërpritet nga brenda, vendosa që të hyj në politikë”, ka thënë ai. /Zëri