Infektuar: 54839
Shëruar: 48046
Vdekur: 1392
Bideni nominon Powerin për ambasadore të USAID-it, njohëse e mirë e zhvillimeve në Kosovë
Foto: Presidenca e Kosovës

Bideni nominon Powerin për ambasadore të USAID-it, njohëse e mirë e zhvillimeve në Kosovë

Aktuale January 13, 2021 - 17:01

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, ka nominuar ish-ambasadoren amerikane në OKB, Samantha Power, për ta drejtuar Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

“Samantha Power është një zë i njohur botërisht i ndërgjegjes dhe qartësisë morale – duke sfiduar dhe mbledhur bashkësinë ndërkombëtare për t’i dalë në ballë dinjitetit dhe humanizmit të të gjithë njerëzve”, tha Bideni në një deklaratë të mërkurën.

Power, 50-vjeçare, shërbeu në administratën Obama si Ambasadore amerikane në Kombet e Bashkuara nga viti 2013 deri më 2017. Nga viti 2009 deri më 2013, ajo shërbeu në Këshillin e Sigurisë Kombëtare si asistente speciale e presidentit dhe si drejtore e lartë për çështje multilaterale dhe të drejta të njeriut.

Gjatë kohës sa shërbeu në OKB, Power u angazhua edhe për kodin telefonik shtetëror të Kosovës.

“Edhe pse dhënia e kodit telefonik Kosovës (+383) mund të duket gjë e vogël, është çelës për të qenë anëtar i rregullt i komunitetit ndërkombëtar. Sa mirë të shohim bashkëpunimin fqinjësor”, pati shkruar Power në Twitter më 2016, pasi ishte dhënë lajmi se palët negociuese, Kosova dhe Serbia, kanë rënë dakord në Bruksel për këtë çështje, raporton Zeri.info.

Janarin e vitit 2014, presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga, ishte takuar me ambasadoren Power në New York, e cila, sipas komunikatës për media nga Presidenca, ishte cituar të ketë thënë: “Përfaqësuesja e misionit të SHBA-së në OKB, ambasadorja Samantha Power, theksoi se SHBA-ja mbështet proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe i gjithë rajoni i Evropës Juglindore. Ajo tha se është inkurajuese që Kosova dhe Serbia janë angazhuar në dialog dhe kanë arritur marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve”.

Para karrierës në diplomaci, Power ishte gazetare që raportoi nga lufta në Kosovë, në Bosnje, Timori Lindor, Ruanda, nga Sudani e Zimbabveja. Aktualisht ajo është profesoreshë në Universitetin e Harvardit. Ka lindur në Dublin më 1970 dhe ka migruar në SHBA nga Irlanda bashkë me familjen e saj kur ishte 9 vjeçare.

Ajo ka fituar çmimin Pulitzer më 2003 për librin e saj “A Problem From Hell: America and the Age of Genocide”. /Zëri