Infektuar: 55851
Shëruar: 49269
Vdekur: 1410
Ish-kryetari i Gjykatës Supreme: KQZ-ja të interpretojë ndalimin për kandidim në përputhje me Kodin Penal

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme: KQZ-ja të interpretojë ndalimin për kandidim në përputhje me Kodin Penal

Aktuale January 13, 2021 - 15:23

Ish-kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës dhe profesori universitar, Fejzullah Hasani, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës duhet të interpretohet në përputhje me Nenin 100 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Këto komente Hasani i ka bërë gjatë tryezës virtuale “Kush ka drejtë të kandidojë në zgjedhje?”, e organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Hasanit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet të interpretojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese në harmoni me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

“Ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese duhet të shikohet në prizmin e Kodit Penal. Me këtë rast, konsideroj se KQZ duhet që këtë vendim ta interpretoj në përputhje me nenin 100 të Kodit Penal të Kosovës, që përcakton pasojat juridike të vendimit. Pra, kjo nuk mund të shihet si e ndarë. Në rastin kur Kodi Penal nuk parasheh pasoja, pasojat nuk mund të krijohen”, ka thënë ai.

Hasani ka shtuar vendimi i Gjykatës Supreme i vitit 2017, që përcaktonte domosdoshmërinë e shqiptimit të dënimit plotësues për t’iu mohuar një kandidati të caktuar për të kandiduar në zgjedhje, ishte një vendim profesional.

“Vendimi i vitit 2017 që përcaktonte se asnjë kandidati nuk mund ti mohohet e drejta për t’u zgjedhur në mungesë të një dënimi plotësues ishte një vendim profesional. Ky vendim nuk i përket periudhës sime, pasi në kohën kur është nxjerrë ky vendim, unë nuk kam qenë kryetar i Gjykatës Supreme. Por se në kuptimin profesional, ky vendim ishte prezantuar në qarqe të ndryshme si vendim shumë profesional” ka përfunduar Hasani. /BetimipërDrejtësi