Infektuar: 55851
Shëruar: 49269
Vdekur: 1410
Bideni zgjedh shef të CIA-s zyrtarin që mbronte pavarësinë e Kosovës me çdo kusht

Bideni zgjedh shef të CIA-s zyrtarin që mbronte pavarësinë e Kosovës me çdo kusht

Aktuale January 11, 2021 - 14:03

Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, ka pëzgjedhur William J. Burns, zyrtar karriere i Departamentit të Shtetit i cili ka drejtuar delegacionin amerikan në bisedimet sekrete me Iranin, për të drejtuar Agjencinë Qendrore të Inteligjencës.

Në një deklaratë të sotme, Bideni tha se Burns “ndan besimin tim të thellë se inteligjenca duhet të jetë apolitike dhe se profesionistët e përkushtuar në inteligjencë që i shërbejnë kombit tonë meritojnë mirënjohjen dhe respektin tonë”, raporton “NYTimes”.

Burn aktualisht është president i organizatës “Carnegie Endowment for International Peace”. Ai ka qenë i zëshëm në besimin e tij se diplomacia amerikane është dëmtuar gjatë administratës Trump.

Kujtojmë se Burns ka shërbyer edhe si Zëvendës Sekretar i Shtetit gjatë presidencës së Barack Obamas, raporton Zeri.info.

Gjatë këtij mandati, në vitin 2012, Burns vizitoi Kosovën ku takoi krerët e atëhershëm institucionalë.

Në takimin që ai zhvilloi me presidenten e atëhershme, Atifete Jahjaga, Burns tha se SHBA-ja i jep mbështetje dhe përkrahje Kosovës në të gjitha proceset e saj.

Ai tha se SHBA-ja është e interesuar për përparimin e gjithë rajonit të Ballkanit, përfshirë Kosovën, drejt integrimeve euroatlantike.

“Zotëri Burns tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në skenën ndërkombëtare, rajonale dhe atë të brendshme dhe nuk do të inkurajoë asnjë hap që do të dëmtojë pavarësinë e Kosovës”, ishte thënë në komunikatën për media të presidencës pas takimit Jahjaga-Burns.

Edhe në takimin që Burns pati zhvilluar me kryeministrin e atëhershëm, Hashim Thaçin, e pat theksuar miqësinë e SHBA-së me Kosovën.

“Zëvendës Sekretari Burns theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithmonë do të jenë mik i Kosovës dhe do të ofrojnë mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin e mëtejmë të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë pas takimit Thaçi-Burns. /Zëri