LVV-ja akuzon se u votua ligj për oligarkët e bizneset

LVV-ja akuzon se u votua ligj për oligarkët e bizneset

Aktuale December 04, 2020 - 15:10

Pas aprovimit në Kuvend të Projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një konferencë për media.

Deputeti Hekuran Murati ka thënë se më në fund është dëshmuar ajo çfarë e ka thënë LVV-ja.

"Është dëshmuar më në fund atë se çfarë e ka thënë Lëvizja Vetëvendosje që prej fillimit që është bërë kjo nismë ligjore, pra ky ligj i ashtuquajtur Projektligj për rimëkëmbje ekonomike, që qëllimi i kësaj qeverie është që paratë që janë në buxhet të mos shërbejnë për t’u ndihmuar qytetarëve… e jo që qytetarët të detyrohen të prekin Trustin Pensional", ka thënë ai.

Sipas Muratit, ky Projektligj, me vendimin e fundit dhe me amendamentin e fundit që u votua, ka tendencë që t'u ndihmojë oligarkëve dhe bizneseve që janë të afërta me ta.

Murati po ashtu theksoi se ky Projektligj ka shumë defekte, ka pabarazi dhe sipas tij mund të quhet si një ligj që merr para prej taksapaguesve të varfër dhe i drejton ato drejt oligarkëve.

Edhe deputetja Mimoza Kusari-Lila ka thënë se është për keqardhje që Kuvendi ka kaluar një projektligj me kaq defekte edhe në përmbajtje, edhe në formë.

"Krejt çfarë ka bërë Kuvendi i Republikës së Kosovës sot, përveçqë u ka dhënë shansin dhe mundësinë qytetarëve që të ndihmohen me mjetet e veta, e cila është shkelje e Kushtetutës e drejtpërdrejtë, se në situata të krizave është shteti që duhet të ndihmojë qytetarët dhe jo qytetarët të ndihmojnë shtetin", ka thënë ajo.

Sipas saj, është favorizuar një numër i caktuar i bizneseve, duke rritur kështu pabarazinë sociale. /Zëri