Aktakuzë për korrupsion ndaj drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Ferizajt

Aktakuzë për korrupsion ndaj drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Ferizajt

Aktuale December 04, 2020 - 13:12

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Ferizajt, Faik Granica

Ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 nëntor 2020, Faik Granica po akuzohet se më 1 shtator 2016 në cilësinë e personit zyrtar, drejtorit të urbanizmit në Komunën e Ferizajt, kishte keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ashtu që subjektit afarist “Mozzarti KS” përkundër se kishte qenë në dijeni se subjekti afarist nuk i plotëson kushtet, të njëjtit i kishte lëshuar pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë.

“Në cilësinë e personit zyrtar, si drejtor në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Ferizajt, duke shfrytëzuar detyrën ose autoritetin e tij zyrtar, me dashje i tejkalon kompetencat e tij duke i mundësuar përfitim të kundërligjshëm pasurore personit tjetër, përkatësisht pronarit të bastores sportibe Mossart KS, Irfan Beroviq, në atë mënyrë që përkundër se ka qenë në dijeni se subjekti afarist – bastorja sportive Mozzart KS e cila gjendet në rrugën Kadri Zeka në Ferizaj, me numër biznesi 70763370, nuk i plotëson kushtet për të ushtruar veprimtarinë, i njëjti lëshon pëlqimin me numër 04-16-66346 duke rënë kështu në kundërshtim me nenin 66 paragrafi 2.4 të Ligjit për lojërat e fatit i cili përcakton distancën ndërmjet subjektit të lojërave të fatit dhe objekteve edukativo -arsimore, të institucioneve historike, fetare dhe të pronës komunale, meqë në distancë prej 155 metra gjendet çerdhja e fëmijëve “Ninulla”., thuhet në aktakuzën e dërguar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Me këto veprime Faik Granica akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar” nga Neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafi1 të KPRK-së.