Deputeti Arifi merr pagë, edhe pse në burg

Deputeti Arifi merr pagë, edhe pse në burg

Aktuale December 03, 2020 - 19:23

Në fund të nëntorit, Etem Arifi ka pranuar në llogarinë e tij pagën nga Kuvendi i Kosovës, pasi ende vazhdon të jetë në listën e deputetëve, pavarësisht se aktualisht po vuan dënimin në burgim që nga 29 shtatori, në kohëzgjatje prej 1 viti e 3 muajsh.

Nga Zyra e kryetares së Kuvendit, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se Arifi është në listën e pagave.

Deputeti i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, ishte dënuar më 20 gusht 2019 nga Gjykata e Apelit pasi ishte gjetur fajtor për mashtrim me subvencione. Sipas vendimit të Gjykatës, Etem Arifi, së bashku me Bajram Gashin, drejtor i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, ishin përgjegjës për përvetësimin e rreth 26 mijë eurove.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (KDI) që monitoron punën e Kuvendit, thonë se rasti i deputetit Arifi është i paprecedent për kuvendin dhe se legjislacioni në fuqi është kontradiktor.

“Ai ligjërisht është ende deputet dhe si i tillë, pavarësisht faktit që është në vuajtje të dënimit dhe tash ka rreth pesë muaj që nuk ka qenë prezent në punime të Kuvendit, vazhdon të marrë pagë nga buxheti i shtetit”, tha Agnesa Haxhiu nga KDI-ja.

Ajo shton se bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe Rregulloren e punës së Kuvendit, përcaktohet qartë se një deputet e humb mandatin, kur ai dënohet për një vepër penale me burgim për një periudhë kohore prej një e më shumë vjet.

Por, problematik mbetet interpretimi i këtij neni.

“Në rastin e Arifit, në kohën kur ai është dënuar me vendim të formës së prerë me burgim, ka qenë në muajin gusht të vitit 2019, në legjislaturën e VI-të, pra jo në këtë legjislaturë. Kushtetuta, por edhe Rregullorja e punës qëndrojnë të heshtura për rastin se çfarë ndodh kur deputeti shkon në vuajtje të dënimit tash në këtë legjislaturë”, thotë Haxhiu.

Si u zgjodh sërish deputet?

Vota e deputetit Etem Arifi ishte vendimtare për votimin e Qeverisë Hoti, më 3 qershor 2020.

Në seancën dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese të mërkurën, e cila po e shqyrton zgjedhjen e Qeverisë Hoti me votën e deputetit Arifi pas kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se kanë qenë të hendikepuar të veprojnë.

Gjykata Kushtetuese zhvilloi të mërkurën një seancë dëgjimore në lidhje me çështjen e Etem Arifit, 2 dhjetor 2020.

Ajo iu referua një aktgjykimi të Gjykatës Supreme të vitit 2017, në rastin e Zafir Berishës, kundër Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Ky vendim, ia mundëson çdo qytetari të Kosovës të garojë në zgjedhje edhe nëse është i dënuar, përveç nëse Gjykata i jep dënim plotësues që i ndalon ushtrimin ose garimin për çfarëdo funksioni publik për një periudhë të caktuar, gjë që në rastin e Arifit, gjykata nuk ka dhënë një dënim të tillë.

Arifi ishte zgjedhur deputet i vetëm nga partia e tij dhe kishte dhënë betimin në legjislaturën e VII.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në REL