“Qeveria trajton personat me nevoja të veçanta si raste sociale”

“Qeveria trajton personat me nevoja të veçanta si raste sociale”

Aktuale December 03, 2020 - 16:00

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” konsideron se buxheti për vitin 2021 i ka përfshirë personat me nevoja të veçanta vetëm në aspektin e ndihmës sociale, por jo edhe të shërbimeve të tjera që do t’ua lehtësonte më shumë jetën e tyre.

Buxheti për vitin 2021 ka paraparë 17,650,000 euro shtesë për pensionet e personave me nevojat të veçanta, por zero mjete financiare për adresimin e problemeve tjera për mirëqenien e tyre. Nga ajo që kemi parë në buxhetin për vitin 2021, del se nuk janë paraparë fare mjete financiare për rregullimin e infrastrukturës për persona me nevoja të veçanta, përveç 15,535 eurove të bartura nga viti 2020. Njëkohësisht nuk është paraparë financim për ndërtimin e qendrave rezidenciale për personat e moshuar dhe me nevoja të veçanta.

Sot, më 3 dhjetor që shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta, në Kuvendin e Kosovës vetëm se u konstatua se Republika e Kosovës ka bërë shumë pak për të krijuar mekanizma të përshtatshëm institucional, infrastrukturor e shoqëror për t’iu përgjigjur plotësisht nevojave të personave me nevoja të veçanta. Përmirësimi i gjendjes në këtë drejtim është i domosdoshëm. Sepse të drejtat njerëzore janë universale. Personat me nevoja të veçanta janë të barabartë sikur të gjithë pjesëtarët e shoqërisë. Rrjedhimisht ata duhet të kenë qasje të barabartë në shërbimet shëndetësore, arsimore, në punësim dhe të marrin pjesë aktivisht në komunitet në mënyrë që të mos lihen pas.

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” konsideron se për t’i respektuar, vlerësuar dhe për t’i ndihmuar personat me nevoja të veçanta më shumë se sa fjalë, nevojiten propozime konkrete financiare.