Muxhahedinët në Shqipëri, ish-këshilltari i Bidenit sugjeron zhvendosjen e tyre

Muxhahedinët në Shqipëri, ish-këshilltari i Bidenit sugjeron zhvendosjen e tyre

Aktuale December 03, 2020 - 15:48

Daniel Benaim, ekspert, profesor dhe ish-këshilltar i Joe Bidenit për Lindjen e Mesme, ka një ide se si Shtetet e Bashkuara mund të rikuperojnë marrëdhëniet me Iranin. Një prej rrugëve, sipas tij, është reduktimi i mbështetjes ndaj muxhahedinëve të strehuar në Shqipëri dhe zhvendosja e tyre drejt Etiopisë ose Detit të Kuq.

Politika e jashtme amerikane pritet të  ndryshojë rrënjësisht nën udhëheqjen e presidentit të zgjedhur Joe Biden, me këtë të fundit që do të duhet të ndreqë raportet të dëmtuara rëndë nga paraardhësi me Iranin, Kinën e gjithashtu Europën.

Daniel Benaim, i cili ka qenë këshilltar i Biden për Lindjen e Mesme në kohën kur ishte zv.president e që pritet gjithashtu të marrë një post të rëndësishëm në administratën e re, thotë në një intervistë për revistën “Jacobin mag”, se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga ujdia bërthamore ishte një goditje e fortë për Iranin. Sipas tij, lëshime strategjike duhet t’i ofrohen këtij shteti, për ta rikthyer vendin në tryezën e negociatave. Pjesë e lëshimeve, sipas tij, do të ishte reduktimi i mbështetjes ndaj MEK, apo muxhahedinëve iranianë të strehuar në Shqipëri. Eksperti për çështje të Lindjes së Mesme, sugjeron se nje zgjidhje do të ishte zhvendosja e tyre nga Shqipëria në Etiopi ose përgjatë brigjeve të detit të Kuq.

“Unë dhe miqtë e mi jemi të mendimit se një reduktim në mbështejen amerikane ndaj MEK mund të mirëpritej nga Irani. Zyrtarë shqiptarë, në takime bilaterale kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me aktivitetet e paligjshme të grupit në trafikimin e njerëzve, drogës apo armëve. Vendosja e muxhahedinëve për një kohë të gjatë në Shqipëri dhe përgjatë kufijve europianë nuk është e nevojshme, dhe mund të konsiderohet risistemimi i tyre në Etiopi apo përgjatë Detit të Kuq”.

Që prej vitit 2014, nën trysninë amerikane, Shqipëria strehon më shumë se 4 mijë pjesëtarë të popullit muxhahedin të Iranit, një grup i fshehtë opozitar i regjimit iranian. /A2