Protestojnë familjarët e viktimave të Krushës: Ulja e dënimit për Darko Tasiqin padrejtësi, ka bërë krime në fshatin tonë
Foto: Laura Hasani

Protestojnë familjarët e viktimave të Krushës: Ulja e dënimit për Darko Tasiqin padrejtësi, ka bërë krime në fshatin tonë

Aktuale December 03, 2020 - 12:14

Familjarët e viktimave nga Krusha kanë protestuar sot para Pallatit të Drejtësisë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila ka përgjysmuar dënimin e Darko Tasiqit, i akuzuar për krime lufte.

“Kemi ardhur këtu para Pallatit të Drejtësisë për të shprehur revoltën tonë dhe pakënaqësinë me rastin e uljes në mënyrë drastike të dënimit të kriminelit Darko Tasiq, i cili është përgjegjës bashkë me serbë tjerë lokalë dhe me gjithë aparatin shtetëror serb për krimet që i kanë bërë”, ka thënë përfaqësuesi i banorëve të Krushës, transmeton “Zeri.info”.

Ndërsa Shpresa Shehu, familjare e viktimave nga Krushë të Vogël, e ka cilësuar vendimin e Apelit si një tjetër padrejtësi ndaj familjarëve, të cilët ende nuk e dinë se ku i kanë eshtrat e më të dashurve të tyre.

“Ende nuk i dimë eshtrat e 68 personave, ne kemi ardhur këtu për të kërkuar drejtësi dhe nuk janë në gjendje të dalin para nesh të flasë dikush, kjo është edhe një padrejtësi ndaj neve, veç asaj që është bërë padrejtësi e madhe që ju ka përgjysmuar dënimi kriminelit Darko Tasiq”, tha Shehu.

Shehu shtoi se edhe 22 vjet ishin pak për Tasiqin, i cili sipas saj ka kryer krime në shumë fshatra.

“Me të vërtetë krimineli ka pasur dënim edhe jo të mjaftueshëm me sa krimet i ka bërë në fshatin tonë e fshatrat përreth. Edhe tash nuk janë në gjendje t’i thonë dy-tri fjalë kryetari i Gjykatës ose ndonjë përfaqësues tjetër. Ky është i vetmi kriminel që është dënuar në rastin e Krushës, edhe sa të tjerë janë, por edhe këtij ia përgjysmuan dënimin”, tha ajo.

Përmes një njoftimi, Gjykata e Apelit ka bërë të ditur të hënën se ka ulur dënimin e Darko Tasiqit nga 22 vjet në 11 vjet burgim. /Zëri

Image

Image

Image

Image

Image