“Fëmijët me nevoja të veçanta nuk kanë asistentë ndihmës, kjo i pengon të ndjekin arsimin e rregullt”, denoncon deputeti Uka

“Fëmijët me nevoja të veçanta nuk kanë asistentë ndihmës, kjo i pengon të ndjekin arsimin e rregullt”, denoncon deputeti Uka

Aktuale December 03, 2020 - 11:25

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, në seancën që është duke u mbajtur për personat me aftësi të kufizuara, ka theksuar se kësaj kategorie i eliminohet e drejta elementare - shkollimi dhe punësimi, raporton “Zeri.info”.

Uka thotë se në shumicën e rasteve personave me nevoja të veçanta u eliminohet e drejta për punësim.

Ai ka akuzuar deputetët e të gjithë ata që ishin prezentë në Kuvend.

“Personave me aftësi të kufizuar u eliminohet e drejta elementare, ndonjëherë shkollimi e në shumicën e rasteve e drejta për punësim. Personat me nevoja të veçanta përkundër faktit që ligji u mundëson gjithëpërfshirjen e plotë, vazhdojnë të mbesin jashtë shkollimit të rregullt e kjo për fajin e juve që jeni sot këtu”, tha ai.

Po ashtu ai iu drejtua Qeverisë se ka mohuar të drejtën e fëmijëve me nevoja të veçanta për inate politike, duke thënë se asnjëherë nuk janë kursyer për shpenzime dhe lukse për kabinetet qeveritare.

“Paturpësisht disa prej jush e sigurisht për inate politike keni mohuar të drejtën e fëmijëve me nevoja të veçanta që të kenë asistentë ndihmës dhe rrjedhimisht të ndjekin arsimin e rregullt, mirëpo asnjëherë nuk i keni kursyer shpenzimet dhe luksin për kabinetet enorme qeveritare”, theksoi Uka. /Zëri