Avdyli për Mustafën: Komunisti i fundit nga ish-Jugosllavia po e akuzon për komunizëm një profesoreshë të shkolluar në SHBA

Avdyli për Mustafën: Komunisti i fundit nga ish-Jugosllavia po e akuzon për komunizëm një profesoreshë të shkolluar në SHBA

Aktuale December 02, 2020 - 22:25

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli e ka quajtur komunist liderin e partisë së tij, Isa Mustafa.

Avdyli këtë reagim, të publikuar në Facebook, e bëri pas deklaratave të Mustafës për Vjosa Osmanin, gjuhën e së cilës e krahasoi me të komunistëve të Enver Hoxhës.

Deputeti i LDK-së, ka thënë se Mustafa është komunisti i fundit nga ish-Jugosllavia deri ish-BRSS, dhe se ai është i shkolluar në Kumrovc, ndërsa ka përmendur edhe pozitën e tij si ministër i Krahinës Socialiste të Kosovës.

“Komunisti i fundit nga ish-Jugosllavia deri ish-BRSS, i shkolluar në Kumrovc, ministri i fundit i Krahinës Socialiste të Kosovës, po e akuzon për komunizëm një profesoreshë të shkolluar ne SHBA, në vendin simbol të demokracisë. Ja deri ku arriti mediokriteti i tij”, ka shkruar Avdyli.

Mustafa sonte në një intervistë televizive kritikoi edhe Avdylin se ka përkrahur kandidatin e LVV-së, Shpejtim Bulliqi në zgjedhjet në Podujevë në vend se të përkrahte kandidatin e partisë së tij, ndërsa tha se me këtë veprim, Avdyli e ka përjashtuar veten nga LDK-ja. /Zëri