Pacienti kosovar me COVID-19 për AFP-në: Duhet të kesh lidhje për të gjetur shtrat në spital

Pacienti kosovar me COVID-19 për AFP-në: Duhet të kesh lidhje për të gjetur shtrat në spital

Aktuale November 29, 2020 - 19:33

Pa shtretër dhe mjekë të mjaftueshëm dhe me një ngarkesë në rritje, skena kaotike që duken si në luftërat e viteve të 90-ta, koronavirusi po “shtyn” spitalet e Ballkanit drejt kolapsit.

Pas pothuajse një viti të mbajtjes pak a shumë nën kontroll, skenari i tmerrit që Ballkani i frikësohej nga fillimi i pandemisë tani po shpaloset.

Në Bosnjë, vend i cili është goditur rëndë nga pandemia, një mjek përshkruajti shqetësimin e nevojës për të manovruar me kujdesin për shumë pacientë, jeta e të cilëve varej për një “fije peri”.

“Kjo situatë më kujton luftën dhe frikësohem se mund të bëhet edhe më keq gjatë dimrit”, tha në kushte anonimiteti mjeku për AFP.

“Ne mund të kryejmë punën e tre personave, por jo të pesë (personave)”, shtoi ai, transmeton “Zeri.info”.

Ballkani Perëndimor, një nga këndet më të varfra të Evropës, tashmë ka javë që po lufton me një shpërthim të koronavirusit, ku numri i të vdekurve është dyfishuar në muajin e fundit, duke arritur në afërsisht 10 mijë të vdekur.

Kriza nga pandemia zbuloi zbrazëtitë e sistemit të kujdesit shëndetësor, të cilat kanë qenë të pranishme prej kohësh si pasojë e financimit të ulët dhe nga largimi në masë të madhe i mjekëve dhe infermierëve të rinj, që kërkojnë paga më të mira jashtë vendit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, edhe para se të fillonte pandemia, Ballkani kishte nivelin më të ulët të numrit të mjekëve në Evropë.

Në Serbi, afërsisht rreth 2 mijë punonjës mjekësorë janë detyruar të vetizolohen. Spitalet po shohin një “përmbytje” të madhe, me pacientë që mbushin shtretërit në Beograd.

“Unë kurrë nuk kam pasur një përvojë të tillë në karrierën time profesionale”, tha kryeari i një sindikate të mjekëve serbë, Rade Paniq, për televizionin N1.

“Nuk kisha hapësirë për pacientët e rinj, nuk kisha ku t'i transportoja”, shtoi anesteziologu, i cili punon në "zonën e kuqe" të një spitali që trajton rastet më të rënda COVID-19.

- Mungesë e shtretërve –

Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë vendet që hyjnë në dhjetëshen e parë të Evropës kur bëhet fjalë për shifrat më të larta të vdekjeve në gjithë kontinentin.

Megjithatë, qeveritë vazhdojnë të hezitojnë që të rikthehen në mbyllje totale, mundësi të cilat u shqyrtuan dhe u vendosën në fillim të pandemisë. Në vend të kësaj, qeveritë po vendosin masa më të lehta, siç janë kufizimi i orarit të lëvizjës apo mbyllja e hershme e restoranteve.

Ndërkohë që Serbia po shpejton që të ndërtojë dy spitale tërësisht të reja, Kosova po e konsideron si mundësi të mirë përshtatjen e hoteleve të vjetra në spitale të improvizuara për COVID-19, duke përfshirë këtu “Grand Hotelin”, në qendër të Prishtinës.

Klinikat e stërmbushura në Prishtinë lënë të kuptohet se disa pacientë, siç është Veprim Morina 33-vjeçar, po kthehen mbrapsht.

Mjeku “më tha të mjekohesha në shtëpi pasi që spitalet janë plot”, tha instruktori i fitnesit për AFP.

Morina arriti të angazhojë një infermiere për të siguruar trajtimin për të në shtëpi - një opsion ky për ata që mund ta përballojnë financiarisht.

Për gjetjen e një shtrati në spital duhet të keni "lidhje", thotë ai.

“Duhet të jeni shumë me fat që të gjeni një vend të lirë”.

Në Maqedoninë Veriore, vend fqinj me Kosovën, qeveria po bashkëpunon me klinikat private dhe stafin e tyre për trajtimin e pacientëve me COVID-19, pasi spitalet publike janë plot.

“Kemi marrë shtretër të rinj, por situata vazhdon të jetë gjithnjë e më e vështirë”, tha javën e kaluar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Jashtë klinikave në kryeqytetin e Shkupit, të afërmit u sjellin ushqim dhe ndonjëherë edhe ilaçe pacientëve të tyre.

“Katastrofike. Të paorganizuar. Askush nuk përgjigjet në telefon për orë të tëra”, tha një burrë që kërkonte informacion për një të afërmin të tij të sëmurë.

“Personeli mjekësor po lufton, duke dhënë më të mirën e tyre, por ata thjesht nuk mund të bëjnë gjithçka”. /Zëri